Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka reaguar pas vdekjes së punëtorit të KEK-ut, Arben Ahmeti, duke ngritur shqetësime për sigurinë në vendin e punës dhe përgjegjësinë institucionale.
Ramadani ka theksuar se vetëm gjatë tri ditëve të fundit kanë humbur jetën dy punëtorë të KEK-ut. Sipas tij, tri ditë më parë ka vdekur tekniku Haxhi Gojnovci, ndërsa një muaj më parë edhe punëtori Milazim Binaku.
“Tre punëtorë të vdekur në një ndërmarrje publike brenda pak javësh. Ky është dështim total dhe kriminal i shtetit”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka kritikuar Qeverinë për mungesën e masave të mjaftueshme për sigurinë në punë, duke rikujtuar premtimin për rritjen e numrit të inspektorëve.
Ramadani ka ngritur gjithashtu shqetësime për gjendjen në ndërmarrjet publike, duke thënë se mungesa e kushteve bazike dhe menaxhimi politik po i shndërrojnë ato në “zona rreziku”.
Në fund, deputeti ka shprehur ngushëllime për familjet e Arben Ahmetit, Haxhi Gojnovcit dhe Milazim Binakut.
“Buka e gojës nuk guxon të paguhet me jetë njerëzish!”, ka përfunduar Ramadani./teve1.info/








