Avni Arifi nga Aleanca i ka komentuar lajmet për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë.
Ura pritet që të hapet gradualisht në koordinim me KFOR-in dhe Policinë e Kosovës.
“Ura e Ibrit për një kohë të gjatë ka qëndruar për së koti e bllokuar. Para dy viteve kemi qenë afër që ta bëjmë një gabim të madh pasi insistohej që të dërgohej policia dhe synoheshin veprime uniraterale. Për urën përgjegjësi ekskluzive ka komandanti i KFOR-it. Në atë kohë në biseda në katër sy kemi tentuar që ta bindim KFOR-in se hapja e urës nuk e rrezikon sigurinë e qytetarëve dhe ushtarëve të KFOR-it. Për ne ishte absurde sepse e njohim realitetin. Pse ata i kishin këto vlerësime, është gabim i joni sepse ne nuk kemi insistuar që t’i bindim. U desh që të vinte shefi i CIA-s që të ndryshonte situata dhe është punuar mirë”, ka thënë Avni Arifi në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Tutje, Arifi vlerëson se hapja e urës është meritë edhe e Qeverisë së Kosovës.
“Hapja e urës është sukses i madh pasi ka qenë simbol i një qyteti të ndarë dhe tashmë ky simbol nuk ekziston. Natyrisht që Qeveria e Kosovës e ka bërë një punë të mirë, sigurisht se me koordinim me KFOR-in. Është dashur që edhe më herët të bashkëpunohet me ta”, ka thënë Avni Arifi.
Ura mbi lumin Ibër ka qenë për vite një nga pikat më të ndjeshme të sigurisë në Mitrovicë dhe simbol i ndarjes së qytetit.
Për hapjen e saj së fundmi “dritën e gjelbër” e ka dhënë edhe Bashkimi Evropain.
Ajo aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë.
Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për hapjen e urës për trafik në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Marrëveshja parashihte rivitalizimin e urës dhe largimin e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.
Qeveria e Kosovës së fundmi ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore, një për këmbësorë dhe një për automjete.







