Sipas tij, ky Projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, shkruan teve1.info
“Kuvendi i Kosovës sot ka bërë një gabim të madh! As nuk mund të mendohet në një demokraci, që Kuvendi me vetëdije të miratoi një projektligj që nuk garanton të drejtat themelore të njeriut; që nuk respekton standardet ndërkombëtare; dhe që është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, tashmë ka një vlerësim të tillë nga mekanizmat më kredibil ndërkombëtar, të cilat nuk i kontestoi askush nga brenda”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Në seancën që po mbahet në Kuvend, ky Projektligj u votua me 58 vota për, 3 abstenime dhe asnjë kundër. /Teve1.info/
Postimi i plotë i Krasniqit:
Kuvendi i Kosovës sot ka bërë një gabim të madh!
As nuk mund të mendohet në një demokraci, që Kuvendi me vetëdije të miratoi një projektligj që nuk garanton të drejtat themelore të njeriut; që nuk respekton standardet ndërkombëtare; dhe që është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, tashmë ka një vlerësim të tillë nga mekanizmat më kredibil ndërkombëtar, të cilat nuk i kontestoi askush nga brenda.
Të vetmin argument që Qeveria kishte, ishin numrat që kontrollonte në Kuvend!
Nga aspekti procedural, është shumë më vështirë që Kuvendi të adresoi vërejtje për pothuajse secilin nen të këtij projektligji. Çdo ndryshim duhet të bëhet në formë të votimit të amendamenteve në seancë. Nuk është parim që Kuvendi të ndryshojë kaq shumë një projektligj të cilin nuk e ka iniciuar vet.
Për mbarë e mirë:
– Projektligji duhet të kthehet në Qeveri;
– Një grup gjithëpërfshirës duhet të adresoi të gjitha vërejtjet e Komisionit të Venecias dhe grupeve të tjera të interesit;
– Drafti i dytë duhet t’i dërgohet sërish Komisionit të Venecias për vlerësim, dhe kështu të veprohet deri në adresimin e vërejtjes së fundit. Ashtu siç ka bërë Bullgaria kur ka krijuar një mekanizëm të tillë.
Për të korrigjuar këtë gabim ende ka kohë. Qeveria mund dhe duhet ta tërheq këtë projektligj para fillimit të votimit në shqyrtimin e dytë.