Përhapja e një zjarri të madh, solli zjarrfikësit në fshatin Nakarad të Fushë Kosovës.
Zjarri, i cili tash për tash nuk dihet se si nisi, përfshiu një pjesë të tokave në këtë fshat.
Megjithatë, banorët e kësaj zone, të cilët nuk dashën të flasin para kamerës, prapa saj, i thanë televizionit se dyshojnë se dikush qëllimshëm ia vuri zjarrin këtyre fushave.
Zëvendëstogeri i ekipit të zjarrfikësve, Besim Fazliu, tregon se u ballafaquan me sfida në shuarjen e zjarrit.
“Fillimisht kemi marrë një informatë se është duke u kallur bari i thatë, hamullore. Kemi dërguar dy ekipe, por hapësira aq e madhe ka qenë, saqë është dashur t’i angazhojmë edhe dy ekipe tjera për të arritur me lokalizu zjarrin. Është lokalizua më shumë se 80 për qind e zjarrit. S’ka mbetur edhe pak dhe lokalizohet plotësisht”, tha ai.
Përveç djegies së tokave, zjarri nuk shkaktoi ndonjë dëm material.
E përhapjen e zjarrit, sipas zjarrfikësve po e ndihmon edhe prania e mbeturinave.
Në vendngjarje ka dal edhe Policia e Kosovës, të cilët deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë detaj për rastin.



