Lidhja e Bizneseve të Kosovës, përmes një komunikate, shpreh shqetësimin e saj të thellë për zgjatjen e situatës së bllokimit institucional dhe për klimën e tensionuar politike, e cila po krijon pasiguri të shtuar për qytetarët, bizneset dhe ekonominë e vendit.
Në komunikatë Lidhja e Bizneseve të Kosovës thotë se nuk ndërhyn në proceset politike, mirëpo qëndrimi tyre është i bazuar ekskluzivisht në interesin ekonomik dhe në nevojën që Kosova të ketë institucione funksionale, stabilitet institucional, sundim të ligjit, transparencë dhe parashikueshmëri për bizneset dhe investitorët.
“Bizneset kanë nevojë për një mjedis ku vendimmarrja institucionale funksionon, politikat publike janë të qëndrueshme dhe reformat ekonomike mund të zbatohen pa pengesa të krijuara nga krizat institucionale.Zgjatja e kësaj situate po rrezikon negativisht në besimin e investitorëve, në vendimmarrjen për investime të reja, në proceset e reformave ekonomike dhe në qasjen e vendit në mekanizma dhe programe të rëndësishme financiare ndërkombëtare”, thonë nga lidhja e bizneseve.
“Shqetësimi i komunitetit të biznesit bëhet edhe më i madh për shkak të gjendjes aktuale me të cilën po përballen ndërmarrjet në Kosovë. Prodhuesit vendorë, në veçanti, po përballen me një varg problemesh, sfidash dhe rreziqesh në forma të ndryshme, duke përfshirë rritjen e kostove, konkurrencën e produkteve të importuara, vështirësitë në treg, kostot e energjisë, mungesën e fuqisë punëtore dhe pasigurinë që ndikon në planifikimin e investimeve.Në këto rrethana, bizneset nuk kanë nevojë për më shumë pasiguri. Ato kanë nevojë për stabilitet, vendimmarrje, reforma dhe politika ekonomike të qarta dhe të parashikueshme.Çdo vonesë institucionale ka kosto ekonomike. Ajo ndikon në investimet e reja, në hapjen e vendeve të punës, në zhvillimin e prodhimit vendor dhe në aftësinë e kompanive për të planifikuar”, thonë nga Lidhja e Bizneseve
Të dhënat, sipas tyre tregojnë për shqetësime serioze sociale dhe ekonomike.
“Sipas të gjeturave kryesore të hulumtimit nga inatirucionet kredibile të realizuar në maj 2026, situata sociale dhe ekonomike në Kosovë paraqet shqetësime që duhet të jenë në qendër të vëmendjes së institucioneve.
* 44% e të rinjve të moshës 18–24 vjeç deklarojnë se mendojnë të largohen krejtësisht nga Kosova.
* Kostoja e jetesës paraqitet si një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve, e lidhur me çmimet e mallrave të konsumit dhe energjisë elektrike.
Këto të dhëna duhet të shërbejnë si një sinjal i qartë se fokusi institucional duhet të rikthehet te problemet konkrete të qytetarëve dhe ekonomisë.
Kosova nuk mund të përballojë një krizë të zgjatur institucionale”, shkruajn ata.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës konsideron se të gjitha subjektet dhe institucionet kanë përgjegjësi për tejkalimin e situatës aktuale dhe për krijimin e kushteve që proceset demokratike dhe institucionale të funksionojnë normalisht.
“Nuk është në interes të askujt që përplasjet politike të zgjaten dhe të prodhojnë pasiguri ekonomike.Prandaj, LBK u bën thirrje të gjitha forcave politike që të ulin tensionet, të rikthehen në dialog institucional dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për funksionalizimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës.Interesi ekonomik i vendit duhet të jetë mbi çdo kalkulim afatshkurtër”, shtuan më tej ata.







