Deri në orën 14:00 të ditës së sotme janë regjistruar 12 vatra zjarri në territorin e Shqipërisë, nga të cilat 7 vijojnë aktive dhe 3 janë nën monitorim.
Mediat shqiptare raportojnë se në operacionet e shuarjes janë angazhuar 467 forca operacionale dhe 34 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 120 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:
Mali i Dajtit, Tiranë – vijon puna e forcave operacionale, të mbështetura nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Vakumone, situata është nën kontroll dhe zjarri i izoluar, ndërsa Priska vijon në monitorim.
Gurë-Lurë, Dibër – vijon angazhimi i fuqishëm me 180 forca bashkiake, 15 forca policore, 30 efektivë të FA dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Korridoret e hapura kanë penguar përhapjen drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Qafë Helmës – zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon vetëm drejt Selishtës, pa rrezik për zonat e banuara.
Në Bruç, Mat, operacioni vijon në terren të vështirë, gjithashtu pa rrezik për banesa.
Lufaj, Mirditë – vijon puna e strukturave në terren. 2 mjete zjarrfikëse të FA me 9 efektivë janë pozicionuar pranë banesave në lagjen Caraj për gatishmëri, ndërsa aktualisht vatra nuk paraqet rrezik për banesat.
Fushë-Lajë, Pukë – operacioni vijon me 2 automjete zjarrfikëse, 9 efektivë MZSH, 7 forca pyjore, 46 forca bashkiake, 16 vullnetarë dhe 40 efektivë të FA.
Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata paraqitet në përmirësim në disa prej vatrave, ndërsa kapacitetet tokësore dhe ajrore vijojnë të jenë të përqendruara në zonat aktive.
AKMC po ndjek në vazhdimësi situatën dhe koordinon angazhimin e strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave.










