E diela përfundoi me fatalitet për një punëtor në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Gjersa ishte duke punuar në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit mbrëmjen e 16 gushtit, Haxhi Gojnovci pësoi lëndime të rënda trupore.
Për pasojë, 59-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
Se punëtori kishte vdekur në vendngjarje e konfirmoi për televizionin edhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së QKMF-së në Obiliq, Vjollca Hoti.
Detaje rreth rastit kanë dhënë edhe nga KEK-u.
“Më 16.08.2026, gjatë kryerjes së detyrave të punës dhe derisa po lëvizte në zonën e ekskavatorit, i ndjeri ka pësuar një aksident të rëndë, i cili fatkeqësisht ka rezultuar me humbjen e jetës së tij. Haxhi Gojnovci ishte pjesë e KEK-ut që nga data 15.11.1985 dhe, për më shumë se katër dekada, dha një kontribut të çmuar profesional në Korporatë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Për rastin janë njoftuar organet e rendit.
“Pas pranimit të informatës, prokurori i Shtetit ka inicuar rastin si ‘Hetim mbi vdekje’. Prokurori i çështjes ka autorizuar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje”, u bë e ditur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Nga Sindikata e Punëtorëve të KEK-ut thonë se në këso fatkeqësish ndikojnë mjetet e stërvjetruara.
“Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës, edhe përkundër pajisjeve që nganjëherë u mungojnë për shkak të mosrealizimit të tenderëve dhe procedurave të prokurimit, ata nuk ndalen për të punuar dhe për të pasur prodhim të mjaftueshëm me energji elektrike, dhe sfidohen edhe me shëndetin, po sot edhe me jetën e tyre”, thotë Llumnica.
Sipas Llumnicës, institucionet duhet të intervenojnë që raste të tilla të mund të parandalohen.
“Të krijohet një fond bazë i Ligjit për siguri dhe shëndet, ku caktohen ekspertë dhe sa ekspertë duhet të jenë me ata punëmarrës që janë në kompani, dhe ata, kur të jenë të pavarur dhe nga fondi që ata mund t’i marrin pagat e tyre, mund të jenë dhe të pavarur dhe me mënyrën e inspektimit”, u shpreh ai.
Gjersa po punonin brenda hapësirave të KEK-ut, përgjatë këtij viti, kanë vdekur edhe dy persona të tjerë.






