Punëtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Haxhi (Selatin) Gojnovci, ka vdekur pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra në një aksident të rëndë në vendin e punës.
KEK-u ka njoftuar se Gojnovci ndërroi jetë të dielën, më 16 gusht, rreth orës 20:30, pas aksidentit që kishte ndodhur gjatë kryerjes së detyrave të punës në zonën e ekskavatorit.
Një ditë më parë ishte raportuar se punëtori kishte pësuar lëndime të rënda në këtë aksident.
Sipas njoftimit të KEK-ut, Haxhi Gojnovci, i lindur më 23 prill 1967 në Lismir të Fushë Kosovës, ishte i sistemuar në pozitën “Teknik i Xehtarisë” në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit.







