Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje për ngërçin institucional.
Dehari ka deklaruar se zhvillimet e fundit në Kuvend tregojnë se vazhdimi i seancës pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon situatën dhe rrit rrezikun e përplasjeve brenda sallës së Kuvendit.
Ai ka mirëpritur ftesat për takime të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, si dhe ftesën e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, drejtuar partive politike për një takim konsultativ.
“Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe për një marrëveshje që e zhbllokon situatën institucionale dhe garanton funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve”, ka thënë Dehari.
Sipas tij, partitë politike duhet të gjejnë një marrëveshje që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe arritjes së një marrëveshjeje për një president konsensual.
Dehari ka paralajmëruar se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Populli ka folur. Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme”, ka deklaruar kryesuesi./teve1.info/







