Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thotë se zgjedhja e presidentit konsensual mbetet e mundshme, por ka paralajmëruar se formimi i institucioneve të reja pas tejkalimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit mund të shoqërohet me konteste kushtetuese.
Gashi, ka deklaruar për Kosovapress se presidenti konsensual duhet të jetë figurë që mund të përfaqësojë të gjithë spektrin politik dhe të ketë integritet personal dhe profesional.
Sipas tij, pa këto kritere nuk do të ketë hapësirë për dakordim.
Për këtë çështje, deputeti i LDK-së shtoi se do të diskutohet menjëherë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë.
“Ka hapësirë edhe me u gjetë, po ka edhe hapësirë edhe me u mos gjetë. Po s’mundemi me e paragjyku. 60 ditë janë, prej momentit të konstituimit të Kuvendit janë 60 ditë me u marrë me atë temë. Dy muaj, dy herë në ditë me u taku, 120 takime mundemi me u bë… Nuk kemi vendos kritere, sepse po të flas unë diçka të tillë, vendosi kritere sot. Dhe kriteret, cila mund të jenë bllokuese. Por, në parim, me gjetur një person i cili ka integritet personal, ka integritet profesional, ka përvojë institucionale, ka përvojë shtetërore, mbrojtës i kushtetutshmërisë, përfaqësues i Kosovës brenda dhe jashtë. Ne kemi menduar që të tillë, të paktën pesë ose gjashtë, janë në grupin parlamentar të LDK-së. Zoti Kurti s’ka mendu. Po thotë ka të tjerë që janë më të mirë sesa 120 deputetë të Kuvendit të Republikës, ose 100 deputetët shqiptarë të Kuvendit të Republikës, ka të tjerë që janë hala më të mirë, a du me i marrë qata. Le të tregojë kush janë ata dhe në rregull jemi”, tha ai.
Megjithatë, ai ka ngritur pikëpyetje mbi vetë konstituimin e Kuvendit, pas skadimit të afatit 30-ditor.
Gashi ka thënë se një situatë e tillë mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe të shërbejë si bazë për krijimin e një precedenti të ri kushtetues.
Ai ka thënë se kërkesa për vlerësim kushtetues mund të parashtrohet nga një subjekt politik apo institucion tjetër.
“Tash mund të krijohet një precedent tjetër, që të shkohet në gjykatë, masi që Kuvendit t’i ketë një rastin se prapë mundet, s’ka çka me e çu në gjykatë. Kurdo që ta bëjë Kuvendi një vendim, ka me u shku në Gjykatë Kushtetuese, ndoshta prej dikujt, dhe gjykata ka me thënë: jo, ngadalë, se me presidentin krejt i ki antikushtetuese, ose ka me thënë në rregull është, krejt janë kushtetuese, vazhdoni… 29:00 Është material për Gjykatë Kushtetuese. A e çojmë ne, a e çon PDK-ja, a e çon AAK-ja, a e çon Avokati i Popullit, i nxitur nga organizata e shoqërisë civile, a kush e çon, nuk e di. Po mundet me e çu dikush, ndoshta s’e çon kurrkush. Mua ajo është çështje strategjike. Ajo është qasje strategjike pastaj, se cila do të jetë strategjia e LDK-së në këtë pikë, po më duket është pak herët me thënë. Ka material për gjithçka. Si për ashtu, si për kështu”, shtoi Gashi.
Ai tregoi edhe pse LDK vendosi të ndërpresë negociatat për bashkëqeverisje me LVV-në.
Sipas tij, Albin Kurti nuk dëshiroi koalicion, derisa ofroi vetëm tri ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit për LDK-në.
“Opsioni i parë i bashkëpunimit, i thirrjes për bashkëqeverisur nga zoti Kurti, ishte i padinjitetshëm dhe i papërfaqësueshëm. Paramendo ti, LDK-ja tri ministra dhe zëvendëskryeministrin, aq sa i kanë minoritetet joserbe me tetë deputetë. E LDK-ja 28 deputetë. Çfarë logjike ka kjo? A është e dinjitetshme kjo ofertë? A është ofertë përfaqësuese për LDK-në? Nga një parti si LDK-ja. Kurti nuk ka dashur të bashkëqeverisë, bashkëqeverisje me LDK-në. Kurti nuk ka dashur t’i konstituojë institucionet dhe nuk po do. E ka kapur peng Kuvendin dhe po e bllokon”, potencoi deputeti i LDK-së.
Gashi kritikoi edhe mënyrën se si Kurti i është referuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e quajtur “mikun tim” dhe “nuk është pak të jesh zëvendësi im”.
Sipas Gashit, kjo nuk përbën shenjë miqësie, por mungesë respekti ndaj Abdixhikut dhe LDK-së.
“Çfarë mekanizmi besimi kemi përveç fjalës, të cilën ai nuk e mban? Edhe mbasi del prej takimit, del edhe tallet. Edhe thotë: miku im, nuk kishte pak për të bërë zëvendësi im. Ajo është tallje, nuk është miqësi. Nuk është respekt. Ajo është disrespektim i një personi. Me të thënë unë ty, pa marrë parasysh se çfarë bën ti, me thënë ty: nuk është për ty pak bre me qenë zëvendësi im. A po të nderoj ty? Jo, jo, zotëri. S’jam unë zëvendësi yt, unë jam përfaqësuesi i LDK-së. E ndoshta s’jam unë hiç, ku po e di na që ka me qenë Lumir Abdixhiku zëvendëskryeministër? Ndoshta s’do, ndoshta do me ndenjtë veç kryetar i partisë. Ndoshta s’do, as kryetar i partisë me ndenjt. Ndoshta do veç me i pru partisë pushtet e me ec, ndoshta, ndoshta kështu, ndoshta ashtu, pra pse me e bërë atë punë? Ku e merr atë të drejtë? Pra, ai do me çdo kusht me e nxitur LDK-në me kundërreaguar negativisht dhe me e çu ku e ka çu AAK-në dhe PDK-në. Nuk shkojmë aty ne. Jo, jo, nuk shkojmë. Na ia ofrojmë, merri. Hajde, merri, të shohim çka po bën. Merri. Merri, të shohim çka po bën. Edhe presidentin, edhe kryetarin e Kuvendit, edhe, edhe qeverinë, krejt, bashkë me minoritetet, ecini”, theksoi ai.
Krahas kësaj, Gashi i kundërpërgjigjet eksponentëve të LVV-së, të cilët e përshëndetën vendimin e LDK-së për presidentin konsensual, por që shtuan se nuk duhet të ketë “hile” në këtë proces.
“Pra, kemi pa përplasje fizike. Goditje me vezë ndaj kryeministrit. Përplasje fizike në Kuvend, dhe tash çfarë mbeti? Me lyp kryeministrin, ku është, sepse është kryeministër, jo kushtetues. Pra, ata që e kanë bërë këtë punë, kanë me lyp nëpër shehër e rrugë ku është, me gjuajt me vo. Ku po shkojmë? Po dojmë me bë ndonjë luftë civile? Pse? Për çka? Për interesat politike dhe të pushtetit të një individi? Nuk bëhet kjo punë. Ky vend duhet me pas pjekuri… Ne po duam me qenë të arsyeshëm në këtë vendit. Ne po dojmë me qenë të arsyeshëm për me jetu në këtë vend. Boll mo, boll. Për çka? Krejt po t’i japim, çka po don mo? Jo, se mos është ndonjë hile. E çka me të bë nëse është ndonjë hile? Çka ka ndonjë hile? Hë, ku është problemi? Ku është problemi që është një hile? Cili është problemi? Unë s’po du me qeveris me ty, se ti s’po don me qeveris me mu, në rregull është, qeveris bre zotni. Shkojmë në zgjedhje, nëse është hile, ja shkojmë në zgjedhje. Unë marr fajin, se po mërzitesh ti për atë punë”, shtoi ai.
Duke i bërë thirrje LVV-së që të thërrasë sa më parë seancën konstituive pas këtij qëndrimi të ri të LDK-së, Gashi thotë se zvarritja e formimit të institucioneve të reja do të jetë fillimi i fundit politik të Albin Kurtit.
“Po planifikojnë që prej 7 gushtit deri në 7 shtator, me e mbajtur peng Kuvendin dhe më 7 shtator ose 6 me konstitu Kuvendin. Dhe pastaj me i pas 60 ditë për me e zgjedhë presidentin. Që i bjen me e zgjedh presidentin 7 tetor, 7 nëntor. Që i bjen që, kur të dështojnë me 7 nëntor me e zgjedhë presidentin, brenda 45 ditëve me shku në zgjedhje, që i bjen me shku në zgjedhje më 27 dhjetor. Jo interesa politike. Po interesa të paarsyeshme, shkatërruese për vendin. Që i bjen më 27 dhjetor, ata planifikojnë që kanë me i ardhë një 100 mijë, 130 mijë vota, që i kanë humbur nga zgjedhjet e kaluara në këto zgjedhje, tash na vijnë diaspora neve dhe na i binë. Po harrojnë që këtu janë 1 milion kosovarë që votojnë. Po harrojnë që po shkatërrojnë jetën e 1 milion kosovarëve, perspektivën e fëmijëve të tyre. Përditshmërinë e tyre po e shkatërrojnë. E qata 1 milion kosovarë, edhe nëse i vijnë qata vllaznit tonë e motrat e kushërinjtë e tezet e hallat prej Gjermanisë me iu thënë se ky është i mirë, me na kallëzu neve çfarë është i mirë e çfarë është i keq, qata 1 milion kosovarë kanë me i thënë: jo, jo, ka dalë. Dhe unë jam i bindur që ky është fillimi i fundit politik i Albin Kurtit. Qashtu qysh ka qenë fillimi i fundit politik i Hashim Thaçit, moskonstituimi i Kuvendit në vitin 2014”, thekson ai.
Ndryshe, vazhdimi i seancës konstituive është ndërprerë më 8 gusht me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe pas ekskalimit të situatës në seancë gjatë gjuajtjes me vezë Albin Kurtin nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.







