Rinia Demokratike e Kosovës përmes një aksioni simbolik para Kuvendit të Kosovës ka shprehur shqetësimin për pengmarrjen dhe bllokadën institucionale nga ana e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Anëtarët e RDK-së kanë vendosur në dyert e Kuvendit posterë me fotografitë e Albin Kurtit, Albulena Haxhiut dhe Avni Deharit nën mbishkrimin “Shkelësit e Kushtetutës”, si dhe me sqarime lidhur me procedurat dhe afatet e konstituimit të Kuvendit.
Kryetarja e RDK-së, Arbnora Salihu tha se janë aty për t’ua rikujtuar “Shkelësve të Kushtetutës” që askush nuk është mbi rendin ligjor dhe kushtetues të vendit.
“Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që po e shkelin Kushtetutën e po i bllokojnë institucionet, ua kujtojmë që: Asnjë parti, asnjë deputet dhe asnjë shumicë nuk është mbi Kushtetutën. Të rinjtë e Kosovës nuk mund ta pranojnë që këto lloj shkelje të bëhen praktikë, e pastaj të na shiten si normalitet”, tha ajo.
RDK i ka bërë thirrje deputetit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje që e ka shumicën parlamentare ta thërrasë seancën dhe ta konstituojë Kuvendin.
“Kushtetuta parasheh 30 ditë për konstituimin e Kuvendit, nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar këtë afat, ndërsa Rregullorja thotë se një ndërprerje gjatë seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë”, tha kryetarja e RDK-së, Arbnora Salihu.







