Për 23 javë u trajnuan.
E pas 161 ditësh, rrugëtimin e përmbyllën tek këtë të premtë.
100 kadetë të rinj morën diplomat si zyrtar të Shërbimit Korrektues.
E gjithë ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 46-të nisi me intonimin e himnit shtetëror.
Për rrugën të cilën kanë vendosur ta ndjekin, zyrtarëve të rinj iu drejtua drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Ismail Dibrani.
“Për ju kjo është dita kur një ëndërr, një përpjekje dhe një angazhim i gjatë marrin formë. Por mbi të gjitha kjo është dita kur ju merrni një përgjegjësi të madhe. Të jesh zyrtar korrektues nuk do të thotë të veshësh një uniformë. Do të thotë të mbash mbi vete besimin që institucioni dhe republika e Kosovës vendosin mbi ju”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Ismail Dibrani.
I pranishëm në këtë ceremoni që u mbajt në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Nga 100 të diplomuarit, Kurti kërkoi punë e përkushtim.
“Të jesh zyrtar korrektues është përgjegjësi e madhe e cila kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe dinjitetin e personave të privuar nga liria. Republika e Kosova ka nevojë për ju dhe pret shumë prej jush. Në 3 vitet e fundit janë rekrutuar rreth 400 zyrtarë korrektues. Ky është një investim i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe në ndërtimin e një shërbimi korrektues modern, profesional dhe stabil”, është shprehur Kurti.
Disa fjalë për zyrtarët i pati edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
“Puna e një zyrtari korrektues kërkon disiplinë, kërkon vendosmëri po aq sa kërkon maturi, vetëpërmbajtje dhe gjykim të shpejt dhe të drejtë. Do të përballeni me situata të vështira, do t’iu duhet të merrni vendime nën presion dhe të ushtroni autoritet në rrethana në të cilat kufiri mes vendosmërisë dhe teprimit duhet të jetë gjithmonë i qartë. Pikërisht këtu do ta dëshmoni profesionalizmin tuaj”, u shpreh Gërvalla.
Pas fjalimeve, një nga një, zyrtarët e rinj morën diplomat.
Ceremonia përfundoi me hedhjen në ajër të kapelave.






