Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar sërish duke shprehur atë që e ka quajtur si “shqetësimin të thellë” lidhur me “bllokimin e vazhdueshëm politik dhe institucional, si dhe skenat e papranueshme brenda Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë konfrontimet verbale dhe fizike ndërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, si dhe incidentet ndërmjet qytetarëve vizitorë në sallën e Kuvendit”.
“Kuvendi duhet të mbetet një vend i debatit demokratik, dinjitetit institucional dhe respektit për qytetarët. Mospajtimet politike, sado të thella, nuk mund të arsyetojnë sjelljen që minon besimin e publikut në institucionet demokratike të Kosovës”, thuhet në komunikatën e OEAK.
Oda Ekonomike Amerikane vlerëson se derisa të gjitha partitë parlamentare mbajnë përgjegjësi për të kontribuar në mënyrë konstruktive në një zgjidhje, përgjegjësia nuk është e barabartë.
“Forca politike, të cilës i është besuar numri më i madh i mandateve nga votuesit mban përgjegjësinë kryesore për krijimin e kushteve të nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve funksionale. Fitorja zgjedhore sjell jo vetëm të drejtën për të udhëhequr, por edhe përgjegjësinë për të mundësuar funksionimin e institucioneve”, thuhet në reagim.
Sipas kësaj Ode, kriza e tejzgjatur politike tashmë po bart kosto të konsiderueshme ekonomike dhe sociale.
“Pasiguria institucionale dobëson besimin e investitorëve, vonon vendimet për investime të brendshme dhe të jashtme, ngadalëson reformat dhe projektet infrastrukturore, kufizon qasjen në financa ndërkombëtare dhe rrjedhimisht ndikon në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Kosova nuk mund të përballojë humbjen e mundësive të mëtejme për shkak të paralizës politike”, thotë Oda.
Po aq shqetësuese, sipas OEAK, është funksionimi i zgjatur i një qeverie në detyrë në mungesë të një Kuvendi të konstituuar.
“Mungesa e kontrollit parlamentar, llogaridhënies dhe kontrollit institucional për një periudhë të zgjatur rrit rreziqet e keqpërdorimit të resurseve publike, dobëson transparencën dhe krijimin e kushteve për korrupsion potencial e forma të tjera të abuzimit institucional. Kjo përbën një shqetësim serioz jo vetëm për qeverisjen demokratike dhe sundimin e ligjit, por edhe për mjedisin e biznesit dhe investimeve në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
OEAK gjithashtu shkruan se i merr seriozisht thirrjet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara drejtuar udhëheqësve politikë të Kosovës për krijimin e institucioneve funksionale në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe vërejtjet se bllokimi i vazhdueshëm po i humbet Kosovës mundësi të mëdha./teve1.info/







