Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të thërrasë seancën për konstituimin e Kuvendit, duke bërë thirrje që institucionet e vendit të mos mbahen peng për interesa politike.
Zemaj ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit duhet të ndodhë dhe se askush nuk duhet ta thellojë krizën politike në vend.
“Askush nuk guxon t’i mbajë peng institucionet e vendit dhe ta thellojë krizën politike”, ka thënë Zemaj.
Sipas tij, provokimi i situatës politike nuk është në interes të Kosovës, ndërsa ka theksuar se pushtetet janë të përkohshme dhe se interesi i shtetit duhet të jetë mbi përplasjet partiake.
“Pushtetet shkojnë e vijnë, por Kosova është mbi të gjitha”, është shprehur ai.
Zemaj ka kritikuar atë që e cilëson si “lojëra politike”, duke kërkuar respektimin e rregullave demokratike, ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.
“Pushteti fitohet dhe mbahet në mënyrë demokratike, përmes rregullave, ligjeve dhe Kushtetutës. Askush nuk është mbi institucionet dhe askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng shtetin”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.
Në fund, Zemaj ka bërë thirrje për funksionalizimin e institucioneve, duke theksuar se vendi ka nevojë për stabilitet institucional dhe jo për bllokada e tensione.
“Mjaft më. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për bllokada e tensione”, ka përfunduar Zemaj.
Deklarata e Zemajt vjen në një kohë kur konstituimi i Kuvendit dhe krijimi i institucioneve kanë qenë në qendër të përplasjeve politike./teve1.info/







