Seancën konstituive e ndërpreu mesditën e së shtunës.
E vazhdimin e së njëjtës, nuk e thirri as pas 48-orësh.
Madje, deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, tha se seanca e radhës do të thirret kur të arrihet një marrëveshje politike.
E kundër kësaj, të enjten dolën partitë opozitare.
“Kemi kërkuar takim me kryesuesin e seancës konstituive, zotin Dehari, në mënyrë që nesër, në orën 11:00, kur kalojnë 48-orëshi, në bazë të përcaktimit rregullores së Kuvendit, të ndodhë seanca. Nuk kemi pasur asnjë përgjigje, nuk kemi marrë asnjë koment, dhe asnjë konsiderim për me ndodhë Kuvendi”, tha deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri.
Tutje Tahiri tha se partitë opozitare fillimisht do të ndjekin rrugët institucionale.
“Kur neve na pamundësohet ushtrimi i funksionit tonë si deputet, dhe kur ne e shohim që ka nisur shpërbërja e institucioneve demokratike që fillojnë nga Kuvendi, dhe rrjedhimisht shkatërrimi i të arriturave të vendit tonë, nuk na mbetet tjetër veç t’i provojmë rrugë fillimisht institucionale, e pastaj t’i bëjmë veprimet tona politike në funksion të krijimit të rendit kushtetues në Kosovë. Ajo që na brengos shumë është se shkelja e Kushtetutës për vetë po ndodh vetëm në Kuvend”, u shpreh ai.
Ndërkohë, përgjigje nga Dehari të enjten nuk mori as PDK.
Edhe kjo e fundit i dërgoi letër deputetit të VV-së, për thirrjen e seancës konstituive.
Për këtë, politologu Avdi Smajljaj, thotë se Avni Dehari nuk veproi në përputhje me rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
“Duhet të punoi në bazë të rregullores së vendit. Aty janë kompetencat që i ka kryesuesi i seancës që të paktën do të duhej që 48-orëshi i cili është i përcaktuar në rregulloren e Kuvendit. Të respektohet dhe seance të paktën të përsëritet siç ka qenë edhe vitin e kaluar. Pse një gjë nuk është duke ndodhur? Është bukur e paqartë, nuk ka një bazë juridike. Ndoshta ky veprim duket më shumë politik se sa që është një veprim në bazë të rregullores së punës së Kuvendit”, vlerëson Smajljaj.
Ndryshe, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, për të njëjtën arsye ishte kritikuar edhe vitin e kaluar gjatë përpjekjeve për funksionalizimin e legjislaturës së 10-të.






