Analistët në emisionin “Ditari” në Tëvë1 e kanë vlerësuar si një hap pozitiv vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të hequr dorë nga kërkesat për postin e kryetarit të Kuvendit, presidentit dhe pjesëmarrjen në Qeveri.
Sipas tyre, ky vendim mund të lehtësojë procesin e konstituimit të institucioneve të Kosovës dhe t’i hapë rrugë formimit të tyre, duke i lënë Lëvizjes Vetëvendosje mundësinë për të marrë përgjegjësinë për krijimin e institucioneve, ndërsa LDK-ja të mbetet në opozitë.
Juristi Shkëlqim Jakupi e ka konsideruar vendimin e LDK-së si një qëndrim me përgjegjësi politike dhe qytetare.
“LDK-ja sot edhe njëherë tregoi që është një parti me përgjegjësi të larta politike e qytetare dhe bëri mirë karshi themelimit të institucioneve, zhbllokimit të kësaj status-quoje të vazhdueshme që po na përcjell. Prandaj, unë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë këtë qëndrim. Është një çelës i zgjidhjes, në radhë të parë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pastaj zgjedhjen e Qeverisë dhe më pas presidentit, në mënyrë që pas një kohe relativisht të gjatë të vazhdojë funksionimi normal i këtij shteti”, ka thënë Jakupi.
Ndërkaq, analisti politik Sadik Zeqiri ka thënë se vendimi i LDK-së i hap rrugë partisë fituese që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për formimin e institucioneve.
“Pas një mbledhjeje të gjatë maratonike që e zhvilloi kryetari i LDK-së me anëtarët e saj, duket që i është hapur rrugë krijimit të institucioneve, nëse partia fituese dëshiron t’i krijojë ato. Tashmë është marrë një vendim unanim nga deputetët e LDK-së që lideri i tyre të mos bisedojë me LVV-në për ndërtimin e Qeverisë së Kosovës dhe për të marrë pjesë në të”, ka deklaruar Zeqiri.
Sipas tij, LDK-ja ka lënë të hapur vetëm mundësinë e diskutimit për kandidaturën për president, në rast se një propozim i tillë vjen nga LVV-ja.
“Është hapje e rrugës për krijimin e institucioneve dhe tashmë LVV-së i janë ngushtuar të gjitha rrugët që e çojnë në pritje të diskutimeve për krijimin e institucioneve. Edhe LDK-ja, sikurse PDK-ja dhe Aleanca, tashmë janë zotuar se do të jenë prezentë në krijimin e Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit si dhe në formimin e Qeverisë. Pra, këto parti nuk po kërkojnë hise as në Kuvend e as në Qeveri, por sigurisht që kur të vijë koha e zgjedhjes së presidentit, duan diskutime”, ka thënë Zeqiri.
Ndryshe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se LDK-ja nuk do të kërkojë asnjë post në institucionet e reja të Kosovës, përfshirë kryesimin e Kuvendit, presidencën dhe pjesëmarrjen në Qeveri.
Abdixhiku ka thënë se, nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk e sheh LDK-në si partnere politike, atëherë kjo e fundit do të marrë rolin e opozitës.
“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj. Ne do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet”, ka deklaruar Abdixhiku.
Megjithatë, ai bëri të qartë se LDK-ja do të angazhohet në procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Sipas tij, qëndrimi i partisë është që vendi të ketë një president që mbron Republikën dhe Kushtetutën, ndërsa kandidatura duhet të jetë rezultat i diskutimeve ndërmjet subjekteve politike.
Abdixhiku ka paralajmëruar se për zgjedhjen e presidentit nevojitet bashkëpunim politik, duke thënë se përndryshe vendi mund të përballet me një krizë të re institucionale.
“Nga ky moment, LVV-ja mund ta zgjedhë stabilitetin përmes një presidenti që e zgjedhim bashkëshkrish ose mund ta çojmë vendin drejt një krize të re”, ka thënë ai.
Kreu i LDK-së ka theksuar se deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit, pasi mungesa e tyre në votim mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Ta zgjedhim një president që i shërben Republikës, jopartiak, e jo një president karate”, është shprehur Abdixhiku.
Ai gjithashtu ka kundërshtuar kandidaturat e njëanshme, duke kërkuar që emri i presidentit të ri të dalë pas konsultimeve dhe diskutimeve të detajuara ndërmjet partive.
“Propozimet e njëanshme janë të refuzueshme”, ka përfunduar Abdixhiku./teve1.info/




