Gjatë muajit korrik të këtij viti janë rrënuar 17 objekte të ndërtuara pa leje në pronën e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, pranë Liqenit të Ujmanit.
Rrënimi i tyre u bë përmes një aksioni nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Pas ngritjes së disa padive ndaj ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” ishte caktuar të mbahej një seancë gjyqësore më 12 gusht. Mirëpo një ditë pas, ekipet e gjykatës dolën në terren për procesin e vendshikimit.
Kështu konfirmoi për KosovaPress zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Hateme Haxhaj.
“Gjykata sot ka dalë në vendshikim në vendin, ku u rrënuan objektet”, tha shkurt Haxhaj.
Në anën tjetër, disa media serbe, përfshirë RTS-në, raportojnë se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural u ka dërguar kërkesë sot disa pronarëve të disa objekteve të tjera në Liqenin e Ujmanit për të liruar pronën e tyre brenda dhjetë ditëve.
Kjo, sepse, sipas tyre, dyshohet se janë ndërtuar pa leje, saktësisht në zonën e quajtur si “Međedi Potok”.









