Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar takim me kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, për të diskutuar përgatitjet dhe koordinimin lidhur me vazhdimin e seancës.
Tahiri ka bërë të ditur se kërkesën për takim e ka adresuar sot, duke propozuar që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit.
Sipas deputetit të Aleancës, qëllimi i takimit është koordinimi institucional për vazhdimin e seancës konstituive, e cila, sipas tij, duhet të mbahet nesër në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
“Sot i kam drejtuar një kërkesë Kryesuesit të Seancës Konstituive, z. Avni Dehari, për zhvillimin e një takimi lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës, e cila, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, duhet të mbahet nesër”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ai ka theksuar se kërkesa është bërë në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe respektimit të procedurave parlamentare, ndërsa ka kërkuar konfirmimin e kohës dhe vendit të takimit.
“Pres konfirmimin e kohës dhe vendit të takimit. Pas takimit do t’ju drejtohemi mediave në hollin e kuvendit”, ka përfunduar ai.




