Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj përfshirjes së stafit profesional të Kuvendit në përplasjet politike, duke kërkuar që zyrtarët institucionalë të mos vihen nën presion apo të shënjestrohen për shkak të punës së tyre.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka deklaruar se mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes personave që mbajnë përgjegjësi politike.
Ajo ka thënë se, nëse opozita ka vërejtje ndaj punës së saj, ato duhet t’i adresojë drejtpërdrejt tek ajo ose përmes mekanizmave institucionalë.
“Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre. Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë”, ka shkruar Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit ka dënuar publikisht, siç është shprehur ajo, këtë qasje dhe ka kërkuar që çdo pretendim konkret të paraqitet me fakte dhe përmes rrugëve institucionale, e jo përmes sulmeve apo insinuatave ndaj zyrtarëve të Kuvendit.
Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shantazh dhe përpjekje për ta nënshtruar administratën e Kuvendit, duke thënë se institucioni është marrë peng nga një parti politike./teve1.info/







