Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas deklaratave të kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, lidhur me mungesën e sanksioneve për mosrespektimin e afateve për thirrjen e seancës.
Cakolli ka thënë se Kushtetuta e Kosovës përmban së paku 40 afate dhe kufizime kohore operative, ndërsa vetëm për tetë prej tyre përcaktohet shprehimisht pasoja konkrete juridike në rast të mosrespektimit apo tejkalimit.
“Kushtetuta e Kosovës përmban së paku 40 afate dhe kufizime kohore operative. Vetëm për 8 prej tyre, Kushtetuta e përcakton shprehimisht edhe pasojën konkrete juridike të mosrespektimit apo kalimit të afatit”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Ai ka vënë në pikëpyetje logjikën sipas së cilës afatet që nuk shoqërohen me një pasojë të përcaktuar juridike mund të konsiderohen si jodetyruese.
“Sipas logjikës që po e dëgjojmë së fundi, a i bie që 80% e afateve kushtetuese nuk qenkan detyruese, e rrjedhimisht mosrespektimi apo tejkalimi i tyre nuk paraqet asnjë problem?”, ka pyetur Cakolli.
Reagimi i tij vjen pasi Dehari deklaroi se nuk ka sanksione për afatet e thirrjes së seancave dhe se vazhdimi i saj do të thirret kur të ketë marrëveshje politike.
Vazhdimi i seancës konstituive është ndërprerë të shtunën me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe pas ekskalimit të situatës në seancë gjatë gjuajtjes me vezë në drejtim të Albin Kurtit nga deputetja e Alenacës, Time Kadrijaj.








