Profesori, Fatmir Çollaku, e ka vlerësuar si shumë domethënëse vendosjen e Policisë së Kosovës në Urën Kryesore të Mitrovicës, në kuadër të nisjes së procesit gradual të largimit të Misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja, nga prania e përhershme në këtë pikë.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Çollaku ka thënë se vendosja e Policisë së Kosovës në këtë lokacion është meritë e shtetit të Kosovës dhe e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, duke theksuar se Policia e Kosovës është institucion jopartiak dhe i Republikës së Kosovës.
“Vendosja e policisë atje është meritë e Qeverisë Kurti, e shtetit të Kosovës, sepse Policia e Kosovës është jopartiake, por është e Republikës së Kosovës. Natyrisht që nuk duhet ta mohojmë se kjo qeveri, si në mandatin e parë të plotë ashtu edhe tash që është në detyrë, ka ushtruar juridiksion përmes Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Çollaku.
Sipas tij, në dy-tre vitet e fundit është vërejtur një shtrirje e dukshme e juridiksionit të institucioneve të Kosovës në veri të vendit.
“Jemi dëshmitarë të performancës së Policisë së Kosovës në veriun e vendit. Në dy-tri vitet e fundit, shtrirja e juridiksionit të shtetit të Kosovës në pjesën veriore ka qenë e prekshme, e dukshme dhe e pranueshme nga qytetarët lojalë të shtetit të Kosovës, pavarësisht cilës etni i takojnë”, ka thënë ai.
Çollaku ka vlerësuar se gradualisht edhe një pjesë e qytetarëve serbë në veri janë mësuar me praninë e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
“Gradualisht edhe ata serbët e veriut filluan të mësohen dhe të pranojnë Policinë e Kosovës dhe institucionet e Kosovës, çka është një arritje e madhe”, është shprehur Çollaku.
Ai ka kundërshtuar gjithashtu vlerësimet se Qeveria Kurti nuk ka arritur rezultate në veri të vendit.
“Kushdo qoftë që thotë se Qeveria e Kosovës, në krye me Albin Kurtin, nuk ka bërë asgjë, për mua është joreal, sepse ka bërë një punë shumë të madhe në veriun e Kosovës në aspektin e shtrirjes së juridiksionit dhe pranimit gradual të institucioneve të Kosovës nga vetë qytetarët serbë të asaj pjese”, ka theksuar ai.
Sipas tij, marrja e përgjegjësisë për sigurinë e Urës Kryesore të Mitrovicës ka rëndësi të veçantë, pasi, siç ka thënë ai, tregon për ushtrimin e mandatit të Policisë së Kosovës në garantimin e sigurisë.
“Në këtë kontekst, ky veprim i sotëm, pra marrja e përgjegjësisë për sigurinë e një pike shumë delikate, ka një domethënie të madhe dhe kjo përkthehet edhe në atë legjitimitetin e përgjegjësisë dhe fuqisë së mandatit që ka Policia e Kosovës”, ka thënë Çollaku.
Ai ka shtuar se ky zhvillim mund t’u paraprijë edhe hapave të tjerë në ditët në vijim, përfshirë marrjen e përgjegjësive më të mëdha për sigurinë e brendshme në pjesën veriore të Kosovës.
“Ky është një veprim që do t’i paraprijë edhe veprimeve tjera ditëve në vijim, si marrjen në dorë të sigurisë së brendshme në pjesën veriore dhe legjitimimin e policisë si organin e vetëm për sigurinë e brendshme në veriun e Kosovës”, ka përfunduar Çollaku.
Ndryshe, Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, të hënën ka konfirmuar nisjen e procesit gradual të largimit nga prania e përhershme në Urën Kryesore të Mitrovicës.
Në një përgjigje për Tëvë1, KFOR-i thotë se ky proces është pjesë e optimizimit të pozicionimit të misionit dhe se do të zhvillohet gradualisht dhe në bazë të kushteve në terren.
Sipas KFOR-it, procesi po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
“Misioni i KFOR-it të udhëhequr nga NATO ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura Kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, ky është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it. Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushtet në terren dhe do të koordinohet ngushtë me të gjithë akterët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigje.
Gjithashtu thuhet që komandanti i misionit të KFOR-it vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët të institucioneve të Kosovës por edhe të Serbisë dhe se janë të pozicionuar në mënyrë të përshtatshme për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mundshëm në aspektin e sigurisë.
“Personeli ynë është i pozicionuar në mënyrë të përshtatshme për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin afatgjatë të KFOR-it të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. KFOR-i do të ruajë një prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në veriun e Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet”, thuhet mes tjerash./teve1.info/








