Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për rritje të rasteve të fruthit në vend, duke bërë të ditur se vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 13 raste të reja.
Sipas IKShPK-së, veçanërisht shqetësuese është rritja e numrit të rasteve brenda një periudhe të shkurtër.
“Më 10 korrik ishin raportuar 62 raste, ndërsa deri më 10 gusht janë regjistruar edhe 50 raste të reja, duke arritur gjithsej në 112 raste”, thuhet në njoftimin e institutit.
Prishtina prin me numrin më të madh të rasteve, me gjithsej 37, e pasuar nga Fushë-Kosova me 29 raste.
Në Ferizaj janë raportuar 12 raste, në Kaçanik 7, ndërsa në Obiliq 6 raste.
Nga tri raste janë regjistruar në Drenas dhe Lipjan, nga dy raste janë raportuar në Gjilan, Skenderaj, Shtime, Shtërpcë dhe Vushtrri, ndërsa nga një rast në Deçan, Graçanicë, Podujevë dhe Viti.
Ndërkohë, ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve të fruthit, përkatësisht në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj, kanë intensifikuar aktivitetet gjatë javës së fundit.
Si rezultat, me vaksinën MMR janë vaksinuar gjithsej 147 fëmijë që kishin vonesa në vaksinim sipas kalendarit të rregullt të imunizimit.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta të fruthit, si temperatura e lartë, skuqjet ose ndryshimet në lëkurë, kolla, rrufa apo konjunktiviti, të paraqiten menjëherë në institucionin më të afërt shëndetësor.
Duke theksuar infektueshmërinë e lartë të fruthit dhe rrezikun e përhapjes në komunitet, IKShPK ka bërë thirrje për angazhim të përbashkët të institucioneve përgjegjëse, profesionistëve shëndetësorë, prindërve dhe komunitetit për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së sëmundjes.
“Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/







