Zjarri është riaktivizuar sërish në malin e Krujës, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës, veçanërisht në lagjen “Boje”, ku flakët janë afruar pranë banesave.
Banorët denoncojnë situatën, ndërsa shprehen të shqetësuar për shkak të erës, e cila favorizon përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.
Ndërkohë, edhe dy vatra të reja zjarri janë shfaqur në fshatin Halil të Krujës, në zonën e njohur si “Kroi i Fokës”.
Zjarri në malin e Krujës ka nisur gjatë ditës së djeshme në një sipërfaqe me pyje me pisha, ndërsa gjatë natës forcat zjarrfikëse të Krujës kanë vijuar punën për shuarjen dhe izolimin e vatrave.
Në operacion është ndërhyrë edhe nga ajri, ndërsa në ndihmë të forcave në terren kanë mbërritur edhe forcat e ushtrisë, raporton RTSH.
Aktualisht, ekipet e emergjencave po punojnë për lokalizimin e plotë të vatrave të zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt banesave dhe zonave të banuara.











