Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të zhvilluara më 10 gusht 1998 në vise të ndryshme të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka kujtuar luftimet e ashpra të UÇK-së në dy skaje të vendit, nga Dukagjini deri në Kaçanik, duke nderuar luftëtarët që ranë në këto beteja.
“Në rajonin e Junikut, në përballje me forcat serbe, ranë Bekim Berisha Abeja nga Peja, Bedri Shala nga Drenica, Elton Zherka dhe Përmet Vula nga Gjakova. Eltoni dhe Përmeti ishin njëzet vjeç, Eltonit i mungonin nëntë ditë për t’i mbushur njëzet e një. Lufta i kishte bërë shokë dhe si shokë ranë, në të njëjtën ditë e në të njëjtin front”, ka thënë kryetarja Haxhiu.
Po atë ditë, ka shtuar ajo, në fshatin Shaptej të Deçanit, duke mbajtur vijën e pozicioneve, ra Jusuf Kelmendi nga Peja, luftëtar i Batalionit të Parë “Tigri”, ndërsa në të njëjtën ditë në betejën e zhvilluar në fshatin Gabrricë të Kaçanikut, ranë komandanti Agim Bajrami me bashkëluftëtarët Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca.
“Për këtë arsye 10 gushti shënohet edhe si Dita e Dëshmorëve të Brigadës 162 ‘Agim Bajrami’, e cila gjatë luftës dha 95 dëshmorë të lirisë. Tetë ushtarë, disa fronte, një ditë dhe një kauzë e vetme. Nga lufta e tyre dhe e mijëra të tjerëve na erdhi liria dhe mbi të u ngrit Republika jonë. Familjeve të tyre u shprehim mirënjohjen tonë më të thellë. Lavdi dëshmorëve të kombit”, ka thënë Haxhiu.




