Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka pritur sot në takim drejtorin e Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahun, me të cilin ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve profesionale të prokurorëve.
Gjatë takimit, drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, e ka uruar Kryeprokurorin Gashi për marrjen e detyrës së re, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm në funksion të avancimit të sistemit prokurorial.
Sipas njoftimit, në fokus të diskutimeve ishte nevoja për organizimin dhe zhvillimin e trajnimeve të specializuara për prokurorët, me qëllim forcimin e njohurive dhe aftësive të tyre profesionale në trajtimin e rasteve komplekse dhe formave të sofistikuara të kriminalitetit bashkëkohor.
“Kryeprokurori Gashi dhe drejtori Fejzullahu vlerësuan se zhvillimi i vazhdueshëm profesional i prokurorëve është një komponent i rëndësishëm për rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së punës së sistemit prokuroria”, theksohet në njoftim.
Në këtë drejtim, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë institucional në identifikimin e temave dhe fushave prioritare për trajnim, duke marrë parasysh sfidat dhe nevojat konkrete me të cilat përballen prokurorët gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tyre.
Takimi u vlerësua si një hap në drejtim të intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, me synim krijimin e mundësive të reja për zhvillimin profesional dhe rritjen e kapaciteteve të sistemit të drejtësisë në Kosovë.







