Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka nisur të hënën integrimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit.
Sipas KFOR-it, ky proces vjen në kuadër të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe pjesë e procesit për optimizimin e prezencës së misionit. Sipas njoftimit të KFOR-it integrimi do të zhvillohet në mënyrë graduale dhe në bazë të kushteve të sigurisë.
KFOR ka bërë të ditur se procesi është duke u koordinuar ngushtë me një sërë aktorësh, përfshirë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
“Angazhimi i KFOR-it për sigurinë e Manastirit të Deçanit dhe për sigurinë e të gjitha komuniteteve lokale është i palëkundur. Personeli ynë është i përgatitur mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës, në përputhje me mandatin e KFOR-it në OKB. KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Tutje misioni i NATO-s në Kosovë ka thënë se është e rëndësishme që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe bashkëpunim.
KFOR-i ka thënë se vazhdon të përmbushë mandatin e tij, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.







