Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë së Uashingtoni do të mbështetet tek presioni ekonomik dhe jo sulmet e reja ushtarake për ta detyruar Iranin që të arrijë një marrëveshje.
Trump në një intervistë për Axios, tha se “ne po e bëjmë këtë me zë të ulët”, një çasje kjo shumë më e kujdesshme sesa muajt e fundit të konfliktit.
Ai tha se Uashingtoni “vetëm po gjysmë-negocion” me Teheranin, ndërsa monitoron ndikimin që lufta ka në ekonominë e Iranit, për të cilin tha se është në një “gjendje shumë të keqe” financiarisht, dhe këtë ia atribuoi bllokadës detare amerikane që është në fuqi që nga prilli.
Trump tha gjithashtu se rënia e çmimeve të naftës, tani pak mbi 75 dollarë për fuçi, ka lehtësuar ndikimin ekonomik tek konsumatorët amerikanë.
“Do të funksionojë. Gjithmonë funksionon. Është si një lojë shahu”, tha ai, citon Al Jazeera.
Komentet e Trumpit vijnë ndërsa bisedimet e ndërmjetësuara nga Omani për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrim duket se janë pranë një përparimi.
Ministria e jashtme e Iranit tha këtë muaj se bisedimet kishin arritur në fazat e tyre “përfundimtare”, me të dyja palët që janë pranë një marrëveshjeje mbi koordinatat për një rrugë të re lundrimi përmes ngushticës.
Teherani ka theksuar se nuk do ta rihapë plotësisht rrugën ujore derisa SHBA-të “të korrigjojnë sjelljen e tyre”, e cila përfshin kërkesat për të hequr bllokadën detare, për të ndaluar veprimet ushtarake dhe për të paguar dëmet e luftës.
Një armëpushim i arritur në qershor u prish disa javë më vonë për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kontrollit të ngushticës dhe luftimet rifilluan.
Që atëherë, Irani ka vazhduar sulmet me ndërprerje në bazat amerikane në Kuvajt, Bahrein dhe Jordani, ndërsa Huthitët e Jemenit, të cilët janë të lidhur me Teheranin, shpallën një bllokadë të veçantë detare kundër Arabisë Saudite muajin e kaluar.








