119 deputetë të enjten dhanë betimin e tyre si të zgjedhurit e popullit.
E në ulësen e deputetes, ishte edhe Albulena Haxhiu.
Kjo e fundit nga prilli i këtij viti, po ushtron dy funksione.
Bëhët fjalë për pozitën e kryekuvendares dhe atë të presidentes.
Por, betimi si deputete, duket se nuk e pengon Haxhiun t’i mbajë këto dy pozita.
“Dhënia e betimit nuk është zyrtarisht momenti kur deputetët e marrin mandatin. Pra, nëse ku do të ishte argumenti i bie që zonja Haxhiu e ka marrë mandatin që nga momenti i certifikimit të rezultateve, pra në muajin korrik, sepse kështu e përcakton Kushtetuta. Dhe marrja e një mandati tjetër, nuk e ka asnjë ndërlidhje me pozitën e ushtruesit të detyrës së presidentit, sepse në njërën anë rregullorja e punës së Kuvendit, neni 14, e përcakton se kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit nga legjislatura paraprake, vijojnë të mbajnë detyrat e tyre deri në seancën konstituive të Kuvendit”, tha Eugen Cakolli.
Mirëpo, një shpjegim ndryshe e ka ish kryetari i Gjykatës së Apelit.
Hasan Shala thotë me dhënien e betimit si deputete, Haxhiu nuk e mban më postin e kryetares së Kuvendit.
“Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, saktë neni 90, thuhet se në mungesë të presidentit ushtrues detyre menjëherë automatikisht kalon tek kryetari i Kuvendit, në rastin konkret tek kryetarja. Mirëpo, tani kemi një situatë tjetër, ngase nga dje ka pushu së ekzistuari kryetarja e Kuvendit dhe se ajo tani është deputete e cila ka dhënë betimin në Parlamentin e Republikës së Kosovës”, tha Shala.
Si pasojë e kësaj, sipas Shalës, Haxhiu nuk mund të llogaritet më ushtruese e detyrës së presidentës.
“…meqenëse tash ka pushu detyra si kryetare e parlamentit, atëherë automatikisht ka pushu edhe detyra e ushtrueses së detyrës së presidents”, theksoi Shala.
Ndryshe, me 4 tetor edhe zyrtarisht përfundon afati që i lejon Haxhiu të mbaj postin e ushtrueses së detyrës së shefes së shtetit.
Marrja e kohës shtesë nga Lëvizja Vetëvendosje për të arritur një marrëveshje për president para konstituimit të Kuvendit, vlerësohet si arsyetim i paqëndrueshëm. Ky taktizim nga partia që ka shumicën e deputetëve, konsiderohet me potencial për hyrjen e vendit në një krizë të re institucionale.






