Nga selia e partisë, u nis drejt Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mori edhe një ftesë për takim, nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
E gjitha kjo, në ditën e fundit të afatit ligjor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Para takimit, Abdixhiku tha se seanca konstituive duhet të thirret të premten.
“Duhet të ketë seancë konstituive. Nuk ka nevojë të vonohet konstituimi i Kuvendit. Duhet të votohet kryetari i Kuvendit dhe Kryesia. LDK-ja as ka kërkuar dhe as nuk kërkon vonesa të tilla”, tha kreu i LDK-së.
Në anën tjetër, i pari i Vetvëndosjes, Albin Kurti, tha se takimet me LDK-në, nuk përbëjnë më lajm.
Në këtë formë, nisi edhe takimi i katërt i cili zgjati rreth dy orë.
Ndërkohë, lajmin që as ky takim nuk prodhoi marrëveshje për çështjen e presidentit, e dha i pari i LDK-së.
“Nuk kam lajme të reja dhe ju them që jemi shumë larg marrëveshjes. Përderisa nuk ka balancë institucionale, nuk ka marrëveshje politike. Kam qenë i përkushtuar me vullnet të mirë. Është e lehtë të shkaktohen zgjedhje të reja, por qëllimi im dhe i LDK-së ka qenë të gjendet zgjidhja”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku shtoi se ofertat e Kurtit, nuk ishin të mjaftueshme ta bindin LDK-në.
“LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët tanë dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordim. Edhe një herë, pozicioni dhe oferta e deritashme, që tashmë e keni të qartë, që LDK të marrë vetëm zëvendëskryeministrin dhe disa ministri, nuk është e mjaftueshme. Nuk qëndron, nuk është e mjaftueshme dhe nuk përbën zgjidhje për krizën në të cilën jemi tani. Pra, nuk mund ta trajtojmë me seriozitet dhe nuk mund ta pranojmë si të tillë. Nëse e doni LDK-në në qeverisje, atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar”, pohoi ai.
Por, këto qëndrime të Abdixhikut, sipas Kurtit, nuk përputhen me rezultatin zgjedhor.
“Marrëveshjen politike nuk e kemi ende. Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime se ka një dallim të madh mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së”, tha Kurti.
Tutje, Kurti shtoi se preferenca e tyre është një president konsensual.
“Por tash, natyrisht që preferenca jonë e parë është presidenti konsensual. Por nëse nuk ka president konsensual, edhe nëse vijmë tek presidenti partiak, atëherë është Lëvizja Vetëvendosje. Parti për parti jemi ne. Sepse ne i kemi 53 deputetë e tre të tjerë së bashku: PDK 22 deputetë, LDK 18 dhe AAK 7, gjithsej bëjnë 47. Pra ne 53, ata 47”, pohoi ai.
Ndryshe, të premten në mesnatë përfundon afati për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Gruaja më e votuar në zgjedhjet e 7 qershorit, dje u betua si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo ka ngritur interpretime të ndryshme në lidhje me ushtrimin e detyrës së presidentes nga Albulena Haxhiu, tani që është betuar si deputete.






