Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka reaguar, të premten, pasi Vatra Balidemaj është dërguar në gjyq dhe gjobitur me 300 euro për valëvitjen e flamurit “Autochthonous” gjatë një manifestimi në Guci, më 1 gusht, duke kërkuar që, nëse sanksionohen simbolet në tubime publike, ligji të zbatohet njësoj për të gjithë e jo vetëm për shqiptarët.
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka reaguar, të premten, pasi Vatra Balidemaj është dërguar në gjyq dhe gjobitur me 300 euro për valëvitjen e flamurit “Autochthonous” gjatë një manifestimi në Guci, më 1 gusht, duke kërkuar që, nëse sanksionohen simbolet në tubime publike, ligji të zbatohet njësoj për të gjithë e jo vetëm për shqiptarët.
Ai ka shpërndarë videon e 19 vjeçes Balidemajt nga koncerti, krahas së cilës ka shkruar: “Vatra, siç e ke emrin zjarr, na rrofsh gjatë”.
Ai ka thënë se pikërisht ndëshkimi i saj dhe një vajze tjetër ishte arsye shtesë për rishpërndarjen e videos.
“Nëse do të dënoheshin të gjithë për dukuri të tilla, sigurisht që do të ishte një numër i madh i banorëve të Malit të Zi. Pikërisht, dënimi i dy të rinjve është arsye shtesë për rishpërndarjen e videos”, ka thënë Camaj.
Sipas tij, nëse ekziston nevoja për sanksionimin e simboleve të caktuara, standardet duhet të jenë të njëjta, pavarësisht komunitetit të cilit i përkasin.
“Personalisht nuk mendoj se për këto dukuri duhet të ketë të dënuar. Por, nëse ka, atëherë vetëm zbatimi i barabartë dhe i paanshëm i ligjit mund të kontribuojë në besimin e qytetarëve në institucione”, ka deklaruar Camaj.
Balidemaj ndërkaq ka bërë të ditur se është gjobitur pasi më 1 gusht, gjatë një manifestimi në Guci, ka valëvitur flamurin “Autochthonous”.
Sipas saj, kjo ka ndodhur gjatë koncertit të Dava Gjergjit dhe Prengë Becit, ndërsa flamuri është konsideruar provokim nga disa pjesëmarrës.
“E valëvita flamurin ‘Autochthon’, ku i shqetësoi dhe e morën si provokim nënshtetasit e Plavës dhe Gucisë (boshnjakët)”, ka shkruar Balidemaj.
Ajo ka treguar se një ditë pas ngjarjes është ftuar për të dhënë deklaratë, ndërsa më pas rasti ka përfunduar në gjykatë dhe është dënuar me gjobë.
Balidemaj ka kritikuar edhe përfaqësuesit shqiptarë në partitë politike në Mal të Zi, duke thënë se nuk kanë reaguar për rastin e saj.
“Flamurin që e valëvita, e valëvita me krenari për heronjtë dhe kombin shqiptar në trojet e mia, që është e drejtë e imja. Jemi autoktonë e jo të ardhur në vendin tonë”, ka shkruar ajo.
Ajo ka pretenduar se ekzistojnë standarde të ndryshme në trajtimin e simboleve, duke marrë si shembull flamurin e Sanxhakut.
“Flamuri i Sanxhakut, i një rajoni që pretendon pjesë të Malit të Zi, nuk ju pengon, ndërsa simbolet shqiptare po”, ka shkruar Balidemaj.
Postimin ajo e ka përmbyllur me thirrjen “Rrnoft Shqypnia”.







