Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi thotë se nuk ka konstituim të kuvendit sot, pa marrëveshje politike për zgjidhjen e presidentit apo presidentes së Republikës së Kosovës.
Sipas tij, kjo çështje nuk është vetëm përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje, por i të gjitha partive politike parlamentare, të cilat siç tha ai, po i shmangen përgjegjësisë për krijimin e institucioneve.
Nëse nuk ka dakordim, sot, për zgjidhjen e presidentit, Rrustemi paralajmëroi se vendi brenda 60 ditëve do të shkoj në zgjedhjet e katërta të jashtëzakonshme parlamentare.
“Ne jemi në një situatë ku çështja e presidentit kërkon dakordim mes partive politike. Problemi sot politik në Kosovë është mungesa e vullnetit politik për ta zgjedhur presidentin. Pikërisht çështja e presidentit e ka dërguar vendin në zgjedhje të 7 qershorit, prandaj nuk ka kuptim konstituimi i kuvendit pa dakordim të presidentit. Konstituimi i kuvendit, sot pa një marrëveshje për presidentin, është përgatitje për zgjedhjet e ardhshme.. Është shumë me rëndësi që këto orë që kanë mbetur, partitë politike të dakordohen që t’i japin vendit institucione, por paraprakisht të dakordohen për çështjen e presidentit”, tha Rrustemi.
Deputeti i LVV-së bëri të ditur se ka komunikim të vazhdueshëm mes kryetarit të VV dhe LDK, porse ende nuk ka ndonjë marrëveshje politike.
“Ka komunikim të vazhdueshëm të Kurtit dhe Abdixhikut, nuk e di a do të ketë takim, por ajo çka është e rëndësishme është të kemi dakordim për presidentin, nuk kemi pse të humbim kohë. Kjo çështja e krizës politike është shteruar për nga diskutimi. Pothuajse prej shkurtit ne vetëm këtë temë e kemi, është kryefjala e stabilitetit institucional. Ata që sot flasin për konstituim të kuvendit, pa presidentin janë duke e injoruar problemin kryesor, që është mungesa e vullnetit për çështjen e presidentit”, tha ai.
Rrustemi tha se kërkesat e opozitës që Kuvendi duhet të bëhet sot pasi kështu e thotë Kushtetuta nuk janë në shërbim të zgjidhjes së problemit.
Sipas tij, partitë politike që merren me nene të Kushtetutës po justifikojnë krizën politike në vend.
“Edhe kushtetuta, por edhe qëndrimet e partive politike, duhet të jenë në funksion të krijimit të institucioneve. Nuk mund të trajtohet kjo rrethanë, si një sekuencë e ndarë prej procesit më të gjerë, që nënkupton konstituimin e kuvendit, zgjedhjen e qeverisë e të presidentit. Edhe kushtetuta e ka këtë funksion për t’i dhënë vendit institucione, jo për t’i pamundësuar institucionet, për të penguar procesin e institucioneve. Ata që rroken në nene të caktuara të kushtetutës, për të arsyetuar pozicionin e tyre barrikadues, kundër procesit të zgjedhjet së presidentit janë duke justifikuar krizën. Kosova nuk ka nevojë për justifikime të reja të krizës politike ka nevojë për zgjidhje”, theksoi Rrustemi.
Sipas tij, çdo parti parlamentare ka për detyrë që të punojë për t’u jap qytetarëve të Republikës një president.
Ai ftoi LDK-në të qartësojë qëndrimin e saj, e po ashtu ftoi edhe kryetarin e PDK dhe Aleancës që t’i përgjigjen ftesës së kryetarit të VV-së Albin Kurtit për një marrëveshje.
Deklarimet nga Partia Demokratike e Kosovës se ka vendosur që të jetë në opozitë, sipas Rrustemi, janë vetëpërjashtim nga përgjegjësia kushtetuese e politike.
“Secila parti politike, pavarësisht rezultatit, ka përgjegjësi për t’i dhënë vendit presidentin. Kemi votat për të konstituuar kuvendin dhe zgjedhur qeverinë, por nuk i kemi votat e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit. Dhe çështja e presidentit nuk është vetëm e pozitës, e që e s’fajëson opozitën. Secila parti politike duhet të kontribuojë në këtë drejtim. E lusim dhe ftojmë edhe Hamzën e Gjinin, që t’i përgjigjen ftesave të Kurtit për takime, e ftojmë LDK që sa më parë të qartësojë pozicionin, nëse dakordohemi për të ecur përpara. Ky qëndrimi i PDK se ne do të mbesin në opozitë për presidentin, është qëndrim absurd, është vet përjashtim nga përgjegjësia publike, kushtetuese e politike edhe para qytetarëve për ta luajtur rolin që i takon, presidenti nuk është i VV është i republikës”, tha ai.
7 gushti është dita e fundit për të konstituuar Kuvendin e Kosovës. Se a do të mbahet kjo seancë ende nuk dihet për publikun, pasi që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë një marrëveshje politike për zgjidhjen e presidentit apo presidentes së Kosovës, pavarësisht disa takime që krerët e këtyre dy partive patën.
Në seancën e djeshme, kryetari i VV-së Albin Kurti ka kërkuar që të shtyhet seanca për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, me arsyetimin se ka nevojë për kohë shtesë në mënyrë që të arrihet një marrëveshje politike për postin e presidentit.







