Policia e Kosovës ka raportuar tri raste të ndara të armëmbajtjes pa autorizim gjatë 24 orëve të fundit në Podujevë, Fushë Kosovë dhe Prishtinë. Gjatë aksioneve policore janë konfiskuar armë zjarri, municion, një elektroshok dhe një thikë, ndërsa ndaj të dyshuarve janë ndërmarrë veprime procedurale sipas vendimeve të prokurorëve kompetentë.
Rasti i parë është regjistruar në fshatin Bradash të Podujevës, më 6 gusht, rreth orës 13:20. Policia arrestoi një të dyshuar, mashkull kosovar, pasi gjatë kontrollit iu gjetën një pistoletë, dy karikatorë, 17 fishekë dhe një thikë. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
“Fsh.Bradash, Podujevë 06.08.2026-13:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri pistoletë, dy karikatorë, 17 fishekë dhe një thikë. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.
Një rast tjetër është evidentuar në fshatin Sllatinë e Madhe të Fushë Kosovës, rreth orës 19:45, ku policia ndaloi një shtetas të Serbisë. Gjatë kontrollit tek ai u gjet një elektroshok, i cili u konfiskua nga zyrtarët policorë. Pas procedurave të nevojshme, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
“Fsh.Sllatinë e Madhe, Fushë Kosovë 06.08.2026 – 19:45. Është ndaluar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë, gjatë kontrollimit tek personi i dyshuar është gjetur dhe konfiskuar një elektroshok i firmës. Pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt”.
Ndërkohë, rasti i tretë ka ndodhur në rrugën “Ejup Statovci” në Prishtinë, ku policia ka ndërhyrë pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.
Në vendin e ngjarjes janë identifikuar dhe ndaluar dy të dyshuar, të cilët kanë pranuar se kanë shtënë me armë zjarri. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka konfiskuar një armë automatike AK-47, një pistoletë, 40 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 14 fishekë të kalibrit 9 mm, si dhe 19 gëzhoja. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
“Rr. Ejup Statovci, Prishtinë 06.08.2026 – 22:10. Në një aheng dasme raportohet për të shtëna me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë identifikuar dhe ndaluar dy të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët kanë pranuar se kanë gjuajtur me armë zjarri. Në vendin ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar : një armë AK-47 , një pistoletë, 40 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 14 fishekë të kalibrit 9 mm si dhe 19 gëzhoja. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të Prokurorit lirohen në procedurë të rregullt”.









