Deputetja e zgjedhur nga radhët e Partisë Socialdemokrate Unioni Boshnjak (Socijaldemokratska Unija – SDU), Duda Balje, deklaroi se nuk do ta votojë kandidatin apo kandidaten për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Në një deklaratë për media para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, Balje bëri të ditur se nuk ka zhvilluar takim me partinë e parë dhe se qëndrimi i saj ndaj bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje mbetet i pandryshuar.
Ajo shtoi se deri më tani nuk ka komunikuar me asnjë parti as për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Nuk kam pasur takim. Unë nuk e ndryshoj qëndrimin tim që nga hera e fundit. Asgjë nuk ka ndryshuar mes partisë sime dhe Vetëvendosjes. Për presidentin ende nuk kemi folur me asnjë parti. Thjesht nuk ka besim. As ata nuk besojnë te mënyra se si unë punoj dhe funksionoj, e as unë tek ata. Jo, nuk do ta votoj kryetarin apo kryetaren e Kuvendit”, tha Balje.







