Rruga “Ilir Konushevci”, e cila ishte mbyllur për shkak të ndërhyrjeve infrastrukturore, tashmë është e hapur për qarkullim, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një njoftimi të publikuar mëngjesin e së enjtes.
“Ekipet e Kryeqytetit kanë punuar pa ndërprerje, edhe gjatë natës, që rruga ‘Ilir Konushevci’ të jetë sot e hapur dhe plotësisht funksionale për qytetarët”, ka shkruar Rama.
Rruga kishte qenë e mbyllur në segmentin nga kryqëzimi me semaforë në rrugën “Lidhja e Prizrenit” deri te kryqëzimi me semaforë në rrugën “Vëllezërit Fazliu”, për shkak të punimeve që synonin përmirësimin e infrastrukturës.
Punimet në këtë aks rrugor kishin nisur më 22 korrik, ndërsa autoritetet komunale kishin paralajmëruar se ato do të zhvilloheshin me intensitet të shtuar për ta rikthyer sa më shpejt qarkullimin.
Hapja e rrugës pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun në këtë pjesë të kryeqytetit, e cila çdo ditë përballet me fluks të madh automjetesh.







