Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka mirëpritur 15 inspektorët e transferuar nga niveli lokal në kuadër të zbatimit të Ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në forcimin e mbikëqyrjes së tregut në Kosovë.
Sipas saj, transferimi i inspektorëve rrit kapacitetet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe përshpejton zbatimin e reformës në këtë sektor.
“Me këtë transferim, numri i përgjithshëm i inspektorëve të IQMT-së arrin në 39, 24 inspektorë aktualë dhe 15 inspektorë të rinj. Ndërkaq, në fazën e dytë të zbatimit të ligjit, deri në fund të vitit 2026, synojmë ta rrisim këtë numër në 100 inspektorë, duke dyfishuar kapacitetet tona mbikëqyrëse në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur ministrja.
Ajo theksoi se zgjerimi i numrit të inspektorëve do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e mbrojtjes së konsumatorëve dhe forcimin e zbatimit të ligjit në treg.
“Ky zgjerim i kapaciteteve do të kontribuojë në mbrojtjen më të lartë të të drejtave të konsumatorëve, garantimin e sigurisë së produkteve, rritjen e respektimit të legjislacionit në fuqi dhe ndërtimin e një tregu më të drejtë, më të besueshëm dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kusari-Lila.







