Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar mungesën e një takimi me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, duke e cilësuar si një situatë të pajustifikueshme.
Pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se, pavarësisht përpjekjeve, nuk është arritur të zhvillohet takim me kreun e ri të AAK-së, i cili është edhe kryetar i Komunës së Gjakovës.
“Ajo që fatkeqësisht është lajm sot në Kosovë është që nuk arritëm të takohemi sërish me kryetarin e ri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, zotëri Ardian Gjinin, përkundër përpjekjeve tona. Mendojmë që është e paarsyeshme që të mos takohemi e të bisedojmë”, tha Kurti.
Ai theksoi se politikanët vendorë dhe ndërkombëtarë zhvillojnë takime të shpeshta mes tyre dhe se, sipas tij, komunikimi politik duhet të jetë i vazhdueshëm.
Kurti bëri të ditur se mbetet i gatshëm për takime edhe me kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini, si dhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas tij, procesi i bisedimeve me partitë opozitare nuk ka qenë i lehtë, pasi edhe kryetari i PDK-së, sipas tij, është tërhequr nga ky proces pas një takimi të zhvilluar.
“Vullneti dhe gatishmëria ime do të jenë gjithmonë aty. Në një kohë të përshtatshme, në cilindo vend që zgjedhin ata, unë jam i gatshëm të takohem edhe me kryetarin e AAK-së, edhe me kryetarin e PDK-së”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se ka shumë tema për të diskutuar dhe se edhe në rast të mospajtimeve, ato mund të adresohen përmes dialogut.
“Për interes shtetëror, edhe nëse kemi mospajtime, nuk besoj që të gjitha mospajtimet mbeten të tilla nëse ne takohemi dhe përpiqemi t’i zgjidhim”, tha Kurti.







