Agjencia e Menaxhimit Emergjent u ka bërë thirrje qytetarëve dhe fermerëve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë ditëve me temperatura të larta, duke paralajmëruar se është rreptësisht e ndaluar djegia e kashtës, mbetjeve korrëse dhe vegjetacionit në ara.
Sipas AME-së, zjarrvëniet pas përfundimit të korrjeve janë të ndaluara, pasi paraqesin rrezik serioz për përhapjen e zjarreve.
“Ndalohen rreptësisht zjarrvëniet në ara pas të korrave, ndalohet rreptësisht djegia e kashtës, mbetjeve korrëse dhe vegjetacionit nëpër ara për arsye të ‘ashtuquajturës pastrimi për të mbjellat e radhës’”, thuhet në njoftim.
Agjencia ka bërë të ditur se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është në gatishmëri dhe po e përcjell situatën me vigjilencë të shtuar.
Po ashtu, fermerëve u është bërë thirrje të kontrollojnë sistemet e shkarkimit të gazrave te kombajnat dhe traktorët, të kenë të servisuara bombolat për fikjen e zjarrit, si dhe të mbajnë rezerva uji në fushat ku zhvillojnë punimet.
AME ka apeluar edhe për mbrojtjen e bagëtive, duke rekomanduar sigurimin e hijes, ventilimit dhe ujit të mjaftueshëm në ferma.
Ndërkohë, qytetarëve u është kërkuar të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë, të mos hedhin bishta cigaresh apo mbeturina qelqi në ambiente të hapura dhe të kufizojnë aktivitetet fizike gjatë orëve me temperatura të larta.
“Në rast të vërejtjes së ndonjë vatre zjarri ose tymi, bëni përpjekje për shuarjen e zjarrit në mënyrë të sigurt, njëherësh lajmëroni menjëherë autoritetet”, thuhet në njoftim.
AME rikujton se shkaktimi i zjarreve, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, përbën vepër penale dhe do të ndiqet nga organet e zbatimit të ligjit.







