Të shtunën Ivica Daçiq, ministri i Brendshëm i Serbisë, u pa në Rashkë të Serbisë.
Kjo, për të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të një monumenti kushtuar pjesëtarëve të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave.
E ky veprim nga Serbia, vjen vetëm disa ditë pas gërmimeve që po bëhen në Zubin Potok, në kërkim të mbetjeve mortore të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Një veprim i tillë në Këshillin Koordinues të Personave të Zhdukur në Kosovë po shihet si i pakuptimtë.
“I vetmi shtet në botë është që i nderon dhe respekton dhe degradon kriminelët është Serbia. Duke u nisur prej Kroacis, Bosnjes as një labitar të serbëve, ushtarëve të vrar nuk e ki as në Republiken Serbe as në Kroaci, pos atyre që kanë bo krime. Do të thotë ushtarë e thjesht nuk janë askund”, tha kryetari i Këshillit Koordinues të Personave të Zhdukur në Kosovë
Brigada e 37-të është një nga njësitë ushtarake që përmendet në dokumentacionin e organizatave për të drejtat e njeriut.
E në të vlerësohet se mund të ketë të dhëna që do të ndihmonin në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe në hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës
Por, sipas Grajqevcit, Serbia s’pritet të dorëzojë asnjëherë ndonjë dokument valid.
“Unë besoj që Serbia as një dokument valid nuk do të ja dorëzoj Kosovës. Ne edhe nëse s’kemi dokument kemi pas sy, kemi pa. Se vëzhguesi më i fort i njeriut është syri. Ne kemi parë krimet, i kemi prek me duar, kemi dëgju me vesh. Brigadat si brigadat asnjëra s’është më pak se tjetra të gjitha janë të barabarta”, u shpreh tutje Grajqevci.
Por, një veprim i tillë nga Serbia nuk iu vjen në befasi as Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk është kjo një befasi e madhe se çka bënë Serbia apo politika Serbe mundem me thonë. Serbët mundohen të ngisin diçka prej diçka që nuk kanë hiq, Ata e din që i kanë humb atë betej edhe ata njerëz i kanë humbur në Kosovë duke tentuar ta marrin Kosovën apo duke menduar ta ripushtojnë Kosovën. Por, ata e din që e kanë hup Kosovën dhe e kanë humbur betejën në Kosovë dhe tash duhet ta rrejn popullin e vet me ngritjen e memorialeve”, deklaroj kryetari i OVL- UÇK-së
Gucati thotë se një reagim nga Bashkimi Evropian, do të ishte i nevojshëm.
“Mua më vjen keq edhe prej Bashkimit Evropian se Bashkimi Evropian është duke luajtur me dy parë letra. Bashkimi Evropian kur ne tentojmë të ngrisim diçka neve na reagon apo kur tentonim ti shkaktoni sidomos rënimet e tyre hotelet e tyre pa leje në Ujman, Bashkimi Evropian vjen edhe reagon te na. E tash në Serbi nuk reagon. Kjo është e keqja e Bashkimit Evropian”, theksoj Gucati.
Në lidhje me këtë çështje televizioni ka drejtuar pyetje edhe Bashkimit Evropian, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kronikës.
Ndërkohë në korrikun e vitit 2024, kryeministri Albin Kurti njoftoi se Kosova i kishte dorëzuar Serbisë një kërkesë zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës së 37-të, në zbatim të Deklaratës për Personat e Zhdukur të dakorduar në Bruksel.
Ndërsa një kërkesë e tillë u përsërit edhe këtë vit në kuadër të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.






