Policia e Kosovës njofton se një person i moshës 17-vjeçare ka gjetur para në shumë prej 2500 eurosh dhe më pas i ka dorëzuar në polici.
Sipas njoftimit policor, rasti ka ndodhur të dielën, rreth orës 22:30, ku në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur qytetari A. Nuha, nga fshati Bablak i komunës së Ferizajt.
Ai ka dorëzuar një shumë parash dhe dokumente identifikimi të gjetura në rrugë në një portofol, në fshatin Lloshkobare, afër një pike karburanti.
“Pas verifikimeve të kryera nga zyrtarët policorë, është identifikuar pronari i sendeve të humbura, K.S. (40 vjeç) nga Gjakova. Në prani të zyrtarëve policorë, atij i janë kthyer paratë në vlerë prej 2,435 euro dhe 270 franga, si dhe dokumentet personale. Policia ka regjistruar një shënim zyrtar”, thuhet në njoftim.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj vlerëson lart veprimin e qytetarit A. Nuha, i cili me ndershmëri dhe përgjegjësi ka dorëzuar paratë dhe dokumentet e gjetura, duke dhënë një shembull të mirë të qytetarisë.




