Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku ka thënë se kjo parti duhet të jetë opozitë e zëshme dhe e guximshme ndaj pushtetit të Vetëvendosjes.
Ky qëndrim i tij ka ardhur në ditën kur LDK mban Kuvendin e jashtëzakonshëm, ku kërkesë është shkarkimi i kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
“LDK duhet të jetë një opozitë e zëshme, e guximshme dhe proaktive ndaj pushtetit të Vetëvendosjes”, ka shkruar ai në Facebook, ku ka renditur 14 pikat në të cilat sipas tij, LVV ka dështuar.
Sa i përket kuvendit të partisë, Sadiku u ka bërë thirrje delegatëve të votojnë sipas bindjeve, ndërsa personalisht ka thënë se do ta respektoj çdo vendim që del nga ky kuvend.
“Për këtë arsye, me aq zë sa kam si deputet, i ftoj dhe i lus të gjithë delegatët që të votojnë sipas bindjeve të tyre personale dhe sipas vizionit që secili kandidat paraqet për të ardhmen e LDK-së. Unë do ta respektoj dhe do ta përkrah çdo lidership që del nga ky Kuvend, sepse ai do të jetë rezultat i një procesi demokratik”, ka shkruar ai.




