Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetares së Kuvendit serb, Ana Bërnabiq, duke i akuzuar ata se po vazhdojnë me mohimin e shtetësisë së Kosovës dhe me pretendime territoriale ndaj saj.
Përmes një reagimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se deklaratat e zyrtarëve serbë vijnë në një kohë kur familjet në Kosovë ende presin zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.
“Derisa qytetarët e Kosovës ende presin zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë nga regjimi i Millosheviqit, Vuçiq dhe Bërnabiq vazhdojnë me deklarata që mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe ripërtërijnë pretendimet e Serbisë ndaj territorit tonë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka deklaruar se Serbia nuk mund të flasë për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve, ndërsa sipas saj, nuk bashkëpunon për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si pjesë të saj.
“Serbia nuk mund të pretendojë se është e përkushtuar ndaj paqes dhe normalizimit, ndërsa nuk hap arkivat për personat e zhdukur, nuk bashkëpunon për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si territor të vetin”, ka theksuar ajo.
Haxhiu ka rikujtuar se Kosova është shtet i pavarur që nga 17 shkurti i vitit 2008, duke përmendur edhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, e cila, sipas saj, konfirmoi se shpallja e pavarësisë nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Në reagimin e saj, ajo u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që të reagojnë ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë, duke i cilësuar ato si retorikë që cenon paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Pretendimet territoriale ndaj një shteti fqinj dhe retorika që përsërit narrativat e së kaluarës nuk kanë vend në Evropën e shekullit XXI”, ka shkruar Haxhiu.
Në fund, ushtruesja e detyrës së Presidentes ka theksuar se statusi i Kosovës është i pakthyeshëm dhe se vendi do të vazhdojë rrugën drejt integrimit euroatlantik.







