Ish-kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Shemsi Jashari, ka deklaruar në emisionin “Ditari” në Tëvë1 se PDK nuk do të mbështesë asnjë emër për president që propozohet në mënyrë të njëanshme nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas tij, çdo kandidat që vjen si propozim i LVV-së, pa qenë pjesë e një procesi gjithëpërfshirës dhe të dakorduar paraprakisht mes subjekteve politike, nuk do të marrë votat e PDK-së.
“Asnjë emër, pavarësisht nëse është në LVV si anëtar me librezë apo pa librezë, çdo emër që vjen si i propozuar nga LVV-ja dhe nuk vjen si pjesë e një diskutimi gjithëpërfshirës, paraprakisht të dakorduar, nuk do ta ketë mbështetjen e PDK-së”, ka thënë Jashari.
Ai ka kujtuar edhe qëndrimin e mëparshëm të PDK-së në raport me kandidaturat për president, duke theksuar se partia ka treguar gatishmëri për të mbështetur kandidatë konsensualë.
“PDK, në zgjedhjet e kaluara, kur ka qenë në diskutim një emër nga familja Jashari, ka qenë pro. Kjo do të thotë se PDK ka dhënë sinjal se disa kandidatura mund të kalojnë. Por PDK ka dhënë sinjal edhe se disa nuk kalojnë. PDK nuk pranon të bëhet pjesë apo t’i japë votën një kandidature që nuk është dakorduar paraprakisht dhe që tentohet të imponohet”, ka deklaruar Jashari.







