Bashkimi Evropian ka porositur se liderët duhet të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që bien ndesh me procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Vetëm përmes dialogut mund të arrihet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk i shërbejnë këtij objektivi”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian, duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ditë më parë, presidenti serb, gjatë promovimit të oficerëve të rinj të Ushtrisë së Serbisë, foli për forcimin e ushtrisë, neutralitetin ushtarak dhe ruajtjen e integritetit territorial, duke përsëritur se Kosova është pjesë e Serbisë, sipas Kushtetutës së Serbisë dhe, siç u shpreh ai, “sipas drejtësisë së Zotit”.
Megjithatë, nga selia e BE-së u ritheksua se vetëm përmes dialogut mund të arrihet përparim në normalizimin e marrëdhënieve dhe në procesin e integrimit evropian.
“Përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që secila palë të përparojë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian./rtk







