Është kjo lista që u publikua këtë të mërkurë.
E në të, figurojnë plot 13 mijë e 227 persona.
Është ky versioni fillestar i regjistrit preliminar të viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Sipas këtij raporti, përgjatë periudhës janar 1998 deri më 20 qershor 1999, u vranë mbi 12 mijë e 230 persona.
Të ndarë në lista, 11.408 persona humbën jetën në ekzekutime, masakra e bombardime, ndërsa të zhdukur me dhunë janë 1 mijë e 578.
I pranishëm në lansimin e kësaj liste ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Veçanërisht e rëndë është pesha e krimeve të kryera ndaj fëmijëve, raporti dokumenton se në grup moshën nga 0 deri në 17 vjeç janë 1.047 fëmijë të vrarë, 94 kanë vdekur si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa ende nuk dihet për fatin e vendndodhjen të 100 fëmijëve të zhdukur më dhunë”, ka thënë Kurti.
Kurti dekaroi se dokumentimi i krimeve të Serbisë, është detyrë shtetërore.
“Ky raport është dëshmi institucionale e çmimit të shtrenjtë të lirisë që e gëzojmë së bashku. Raporti përfaqëson njerëz jetë, familje dhe histori të cilët nuk mund të reduktohen në numra, por që shteti ynë ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi dinjitet dhe përgjegjësi”, ka thënë tutje Kurti.
Detaje rreth këtij raporti dha drejtori i Institutit për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Fushëveprimi i këtij raporti, ose i kësaj liste, është i kufizuar vetëm në tri kategori. Do të thotë, në këtë listë, ose në këtë raport, ne paraqesim informatat për numrin dhe detajet e personave të vrarë, personave të zhdukur me dhunë, dhe personave të vdekur si pasojë e luftës. Do të thotë, përfshirja vetëm e këtyre tri kategorive nuk nënkupton se ato përbëjnë tërësinë e viktimave të luftës në Kosovë, por kategoritë e tjera do të trajtohen në faza të tjera të veçanta të dokumentimit”, u shpreh Hetemi.
Hetemi tha se kjo listë është vetëm fillestare dhe kushdo që ka të dhëna shtesë mund t’i dërgojë përmes kësaj platforme.






