Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në rrugën “A” në Prishtinë, ku si pasojë e rrëzimit të një vinçi dy persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore.
Lidhur me rastin është deklaruar Policia e Kosovës, përmes zëdhënësit për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili ka bërë të ditur se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë mbetur të lënduar, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht njësitet relevante në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë filluar hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit”, ka deklaruar Pllana.
Ndërkohë, drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur se dy personat e lënduar janë dërguar në Qendrën Emergjente me politrauma të rënda.
Sipas Sylës, viktima që humbi jetën ishte i lindur në vitin 2000, ndërsa personi tjetër, i lindur në vitin 2008, ka mbetur i lënduar dhe po vazhdon trajtimin mjekësor.
“Dy të lënduar janë sjellë nga ndihma e shpejtë në Qendrën Emergjente. Njëri i lindur në vitin 2000, ndërsa tjetri në vitin 2008. Të dy kishin politrauma të rënda. Pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra të reanimimit (RCP) për rreth dy orë, për fat të keq njëri prej tyre nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë”, ka deklaruar Syla.
Ai ka shtuar se personi tjetër i lënduar ndodhet në Qendrën Emergjente, në gjendje stabile, dhe do të vazhdojë trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Torakale.
“Personi tjetër ndodhet në Qendrën Emergjente me lëndime të rënda, por në gjendje stabile dhe do të vazhdojë trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Torakale”, ka thënë Syla.
Rasti po hetohet nga njësitet kompetente policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit.







