U kthye sërish për ta dëgjuar verdiktin e gjykatës.
Është ky Shaqir Lutvija, i dënuar me 10 vjet burgim për krime lufte.
Kështu, ish-polici serb, para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u gjend sërish të martën.
Por, edhe në rigjykim, Lutvijës iu konfirmua dënimi me 10 vjet burgim për të bëmat e tij gjatë kohës së luftës në Prizren.
Kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, tha se të dënuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Ndryshe, në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Shaqir Lutvijën me 10 vite burgim.
Mirëpo, më pas Gjykata e Apelit, e ktheu lëndën në rigjykim.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.






