Violeta Mulaku-Lika, bashkëshortja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, ka nisur sot dëshminë e saj në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në kuadër të procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve për vrasjen e tij.
Gjatë dëshmisë së saj, Mulaku-Lika ka folur për ditët para ngjarjes dhe për disa momente që, sipas saj, i kanë mbetur në kujtesë.
Ajo ka treguar se një ditë para vrasjes, Muhamet Lika kishte qenë në ndërrimin e pasdites dhe kur ishte kthyer në banesë kishte vërejtur se mekanizmi i shkrepjes së armës së tij ishte i aktivizuar.
“Një ditë para vrasjes Muhameti ka qenë në ndërrim të pasdites, ka ardhur në banesë rreth orës 23:00. Aty e vërej se mekanizmin e shkrepjes së armës e ka të aktivizuar. Nuk e kam pyetur pse, por ka qenë e dyshimtë, sepse s’ka ndodhur asnjëherë”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka rrëfyer edhe një bisedë që kishte pasur me bashkëshortin e saj disa ditë para vrasjes.
“Tri-katër ditë para vrasjes, ishim duke u kthyer nga qyteti për në banesë bashkë me Muhametin dhe unë i them se çka kanë këta që po rrinë shumë të grumbulluar. Ai ma kthen: ‘Për çudi shumë janë duke nejt. Diçka ka me kris, po çka nuk e di’”, ka thënë Mulaku-Lika.
Duke folur për karakterin e bashkëshortit të saj, ajo e ka përshkruar si një person të kujdesshëm dhe me karakter të fortë.
“Ka qenë person me karakter shumë të fortë dhe shumë i kujdesshëm. Kurrë s’ma kishte marrë mendja që fundi i Muhametit do të jetë kështu, sepse s’ka pasur fjalë me askënd”, ka deklaruar ajo.
Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika po vazhdon në Gjykatën Themelore në Ferizaj./teve1.info/








