Italia është bërë shteti i radhës që ka reaguar ndaj rrënimit të objekteve pranë Liqenit të Ujmanit, duke iu bashkuar shqetësimeve të shprehura më herët nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania.
Reagimi vjen pasi të martën, nën asistimin e Policisë së Kosovës, u zhvillua aksioni për rrënimin e 11 objekteve në zonën e Zubin Potokut. Autoritetet kanë bërë të ditur se objektet ishin ndërtuar pa leje në pronë që administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”.
Përmes një deklarate, Ambasada e Italisë në Prishtinë tha se mbështet qëndrimin e Bashkimit Evropian lidhur me këtë çështje.
“Ambasada e Italisë në Prishtinë i bashkohet BE-së në shprehjen e brengës për rrënimin e shtëpive në Liqenin e Ujmanit”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Nga ana tjetër, pronarët e objekteve kundërshtojnë veprimin e institucioneve, duke pretenduar se prona është pjesë e një procesi gjyqësor në zhvillim dhe se rrënimi nuk është dashur të kryhej para përfundimit të procedurave ligjore.
Rasti ka nxitur reagime të njëpasnjëshme nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ka rikthyer në vëmendje debatin për çështjet pronësore dhe zbatimin e procedurave ligjore në zonën e Liqenit të Ujmanit.







