Kompania ajrore Wizz Air do ta hapë nga nëntori i këtij viti bazën e saj operative në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke e bërë Kosovën një nga qendrat e saj të operimit në rajon. Me vendosjen e një avioni Airbus A321neo, investimi pritet të rrisë lidhjet ajrore të vendit, të zgjerojë mundësitë e udhëtimit dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe shtimit të kapaciteteve të fluturimeve.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi vendimin e Wizz Air si dëshmi të besimit të investitorëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës.
Në kontekstin rajonal viteve të fundit, Kurti tha se aeroporti i Prishtinës është rritur me dinamikë të lartë.
Numri i udhëtarëve ka shënuar 4.6 milionë udhëtarë.
“Vendimi Wizz Air për ta vendosur bazën e saj në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si vend i besueshëm për investime me perspektivë të qartë zhvillimi si dhe me potencial të madh për t’u integruar edhe më shumë në rrjetet evropiane të transportit të tregtisë dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve. Kjo bazë e re dhe avioni i ri me kapacitet prej 239 ulësesh, janë investim i rëndësishëm dhe tregues që vendi ynë po bëhet gjithnjë e më tërheqës edhe për industrinë ndërkombëtare të aviacionit.. Çdo linjë e re ajrore krijon mundësi e ura për lidhje të reja kulturore njerëzore, profesionale e turistike, ekonomike e tregtare. Në kontekstin rajonal viteve të fundit, aeroporti i Prishtinës është rritur me dinamikë të lartë. Numri i udhëtarëve ka shënuar vazhdimisht rekorde të reja. 4.6 milionë, po i afrohemi ngadalë po sigurt edhe shifrës prej 5 milionë pasagjerë në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës. E tash ne jemi të interesuar që numri i udhëtarëve i cili po rritet, gjithashtu të ketë edhe bileta sa më të lira, në mënyrë që qarkullimi të jetë sa më i përballueshëm”, tha Kurti.
Përfaqësuesi i Wizz Air, Andras Szabo, tha se kompania operon në Kosovë që nga viti 2017 dhe se hapja e bazës në Prishtinë shënon një fazë të re të pranisë së saj në vend.
Ai bëri të ditur se investimi kap vlerën e rreth 100 milionë dollarëve dhe do të shoqërohet me krijimin e 40 vendeve të reja të punës.
“Wizz Air është tashmë një nga linjat ajrore më të mëdha në Evropë.. Ne operojmë fluturime drejt Prishtinës që nga viti 2017, pra prej nëntë vitesh. Linja jonë e parë ishte drejt Budapestit në Hungari. Që atëherë kemi zgjeruar ndjeshëm rrjetin tonë. Edhe sot, në Prishtinë operojmë gjashtë linja. Fluturojmë drejt Londrës, Gjermanisë, Bratislavës, ndërsa fluturimet për në Milano dhe Romë po fillojnë gjithashtu. Jemi krenarë që tashmë ofrojmë 600 mijë ulëse për tregun e Kosovës. Po ashtu kemi një performancë shumë të mirë sa i përket respektimit të orareve të fluturimeve dhe besueshmërisë operative. Lajmi është se Wizz Air do të hapë një bazë të re në Prishtinë, duke filluar nga nëntori i vitit 2026. Ne do të vendosim këtu një avion Airbus A321neo, gjë që do të krijojë 40 vende të reja pune për qytetarët e Kosovës. Jemi të lumtur që nuk do të jemi më vetëm një kompani që fluturon drejt aeroportit dhe largohet, por do të jemi të pranishëm këtu, do të kemi avionin të bazuar në Prishtinë, do të punësojmë staf lokal dhe do të ofrojmë një rrjet shumë më të pasur fluturimesh përmes këtij investimi. Ky është një investim me vlerë rreth 100 milionë dollarë, që përfshin sjelljen në Kosovë të një avioni Airbus A321neo”, tha ai.
Ndërkaq, drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Gokhan Acikgoz, tha se baza e re e Wizz Air përfaqëson një moment historik për aeroportin dhe për vendin, duke theksuar se investimi do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve, përmirësimin e lidhjeve ajrore dhe zhvillimin ekonomik.
“Ky është një moment i rëndësishëm, një arritje që ka rëndësi jo vetëm për aeroportin tonë, por edhe për Republikën e Kosovës dhe për të ardhmen e lidhjes së vendit tonë me Evropën dhe botën. Jemi krenarë të shënojmë themelimin e bazës së re të Wizz Air në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, i mbështetur nga vendosja e një avioni krejtësisht të ri Airbus A321neo. Kjo është shumë më tepër sesa ardhja e një avioni të ri. Është një shprehje e qartë e besimit
në Kosovë, në qytetarët tanë, në tregun tonë dhe në mundësitë që na presin në të ardhmen. Hapja e një baze të një kompanie ajrore përfaqëson një angazhim afatgjatë. Ajo sjell rritje të kapaciteteve, përmirësim të lidhjeve ajrore, mundësi të reja për pasagjerët tanë dhe potencial për të kontribuar në mënyrë domethënëse në zhvillimin e turizmit, tregtisë, investimeve dhe ekonomisë”, tha ai.
Wizz Air do të shtojë edhe tre linja të reja drejt Bruksel Charleroi-t tri herë në javë, Karlsruhe/Baden-Baden kayër herë në javë, gjithashtu drejt Zvicrës me tarifa shumë të përballueshme çdo ditë për në Bazel, dhe Dortmund-Prishtinë nga fundi i vitit.




