Këto ishin gjurmët që la mbrëmja e 1 shtatorit 2024, në lagjen “Aktash” në kryeqytet.
Nga breshëria e plumbave mes grupeve të njohura si “Capat” dhe “Sekiraqët”, mbeti i vrarë Premtim Gashi.
Për këtë rast, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj nëntë personave.
Por, aktualisht në duart e drejtësisë janë vetëm shtatë prej tyre, Salih Sekiraqa, Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Fatos Abazi, Erd Marevci dhe Vesel Bunjaku.
Akoma të pakapshëm për organet e rendit janë Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci.
Rrjedhimisht, procedura e tyre është veçuar.
Të martën, çështja e dy të arratisurve u trajtua në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Nga afër ecurinë e seancës erdhën për ta parë vetëm familjarët e viktimës.
Aty prokuroria numëroi veprimet që ka ndërmarrë për të siguruar praninë e Llapashticës dhe Marevcit.
“Janë ndërmarrë të gjitha masat për sigurimin e prezencës së tyre, duke filluar nga urdhërarresti, fletëarrestimi vendor, fletëarrestimi ndërkombëtar. Mirëpo, ata qëndrojnë në arrati, edhe pse janë të vetdijshëm se ndaj tyre është duke u zhvilluar procedura penale dhe këtë e bëjnë me qëllim të shmangies së thirrjeve të prokurorisë dhe organeve të rendit”, ka thënë Zeqa.
Andaj, prokurori Bashkim Zeqa, propozoi që gjykimi të zhvillohet në mungesë.
“I propozojmë Gjykatës që të vazhdohet gjykimi në mungesë ndaj këtyre të pandehurve, ndërsa sapo të arrestohen apo të paraqiten para Gjykatës, ndaj tyre menjëherë të caktohet masa e paraburgimit”, ka thënë tutje Zeqa.
Nga kryetarja e trupit gjykues, u bë e ditur se mes tjerash në ueb faqen e Gjykatës Themelore në Prishtinë, është publikuar thirrja për të gjithë personat që mund të kenë informacione relevante për vendndodhjen e dy të akuzuarve.
Thirrje për dorëzim, ajo bëri edhe nga foltorja e gjykatës.
“Gjykata i ka bërë thirrje të pandehurve, Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci të dorëzohen dhe të paraqiten sa më parë pranë kësaj gjykate që kjo çështje penale të zhvillohet në prezencë të tyre”, u shpreh Dermaku.
Të akuzuarit ngarkohen për disa vepra penale, si “vrasje e rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Manipulim me prova”, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Përplasjes së armatosur të 1 shtator, dyshohet se i ka paraprirë një sherr i mëparshëm mes të dyja grupeve.



